Në 3 tetor 2021 shpërtheu skandali ndërkombëtar i “Pandora Papers”, ku miliona dokumente sekrete të zbuluara nga Rrjeti Ndërkombëtar i Gazetarisë Investigative ekspozuan sekretet financiare për 35 drejtues dhe ish-drejtues politikë botërorë.
Më shumë se 330 politikanë dhe zyrtarë publikë, si dhe një grup global të arratisurish, mashtruesish dhe vrasësish përfunduan në faqet e mediave ndërkombëtare.
Ky skandal evidentoi se shumë nga njerëzit e fuqishëm që mund të ndihmojnë për t’i dhënë fund sistemit offshore, janë pikërisht ata që përfitojnë më shumë nga ky sistem duke fshehur asetet nëpërmjet kompanive private, ndërkohë që qeveritë e tyre bëjnë shumë pak për të ngadalësuar rrjedhjen globale të parave që pasurojnë kriminelët dhe varfërojnë kombet.
“Cilësia e offshorit kush është? Është që nuk e tregon kush është pronari i kompanisë së regjistruar në offshore, prandaj njerëzit shkojnë e regjistrohen në offshore”- shprehet eksperti Pano Soko.
“Nuk mjafton vetëm puna e Prokurorisë së Posaçme. Vet drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka deklaruar se vet institucionet shtetërore nuk depozitojnë kallëzime. Kjo është një thirrje që unë nëpërmjet jush i bëj çdo qytetari, që shikon një vepër penale, ka detyrimin ligjor ta kallëzojë”- thotë për Vetting Arben Llangozi.
Shqipëria kishte disa biznesmenë të përfshirë në skandalin e “Pandora Papers”, por deri më sot nuk është zbuluar asnjë politikan shqiptar në këto lista. Megjithatë kërkimet e thelluara të “Vetting” provojnë se biznesmenë shqiptarë me pasuri offshore janë një zgjatim i politikës, pasi ata rezultojnë ortakë biznesi me familjarët e tyre në kompani të fshehura jashtë Shqipërisë.
Ky skandal ndërkombëtar zbulon qartë skemën se si biznesi privat në Shqipëri merr tendera, licenca dhe koncesione nëpërmjet favorizimeve duke transferuar shuma monetare te familjarët e zyrtarëve më të lartë në vend, të cilët abuzojnë me një nga vendet më të varfra në Europë.
Sipas ekspertit Pano Soko: “Në një situatë le të themi ku varfëria është ulur këmbëkryq në pothuajse gjysmën e popullsisë sipas raporteve të Bankës Botërore, 46% e popullsisë jetojnë në prag varfërie, ku varfëria është kaq e theksuar sa nuk ka një sektor të jetës publike, jo vetëm ekonomia, por një sektor të jetës publike që nuk është kapur sot, ku padrejtësia sociale është kaq e madhe“
“Jemi në një situatë ku pavarësisht propagandës së madhe, njerëzit prekin përditë në jetën e përditshme, përballen me vështirësi, mungesën e ilaçeve nëpër spitale, me mungesën e mundësive, për të ndërtuar në Shqipëri një jetë të re.”- shprehet Agron Shehaj.
Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në Europë dhe korrupsioni tashmë është një emergjencë kombëtare, e cila si një thikë godet pareshtur vendin duke shkaktuar hemorragji të fondeve publike dhe largim masiv të të rinjve në emigracion.
Sipas Shehajt: “Mjafton të shohim se sa, ikin me dhjetra mijëra shqiptarë, çdo vit nga Shqipëria, vetëm në 2023 mbi 50 mijë shqiptarë kanë ikur dhe kanë marrë për herë të parë një leje qëndrimi në Bashkimin Europian. Kështu që kjo tregon që njerëzve u ka ardhur në majë të hundës”
Për herë të parë “Vetting” zbulon aferat në nivelet më të larta të qeverisjes, që kanë përfshirë zv.kryeministren Belinda Balluku, stafin e saj më të ngushtë ku familjarët e drejtorëve nën varësinë e Ballukut janë të implikuar në koncesione, tendera publike.
Madje familjarë të drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres rezultojnë ortakë me kompani që marrin fonde publike nga buxheti i shtetit, që ngrenë dyshime të forta për afera korruptive pasi kemi konflikt interesi.
“Në çdo institucion shtetëror kemi një çerdhe të korrupsionit sepse nuk bëhet fjalë për një rast, por kemi me dhjetra raste dhe implikimi të drejtorash, në veprime të kundraligjshme, në krijimin e kompanive që përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhura nga buxheti i shtetit dhe kjo përbën në vetvete një vepër penale të korrupsionit.”- shprehet avokati Arben Llangozi.
Kjo që shikoni është zv.kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Por teksa jemi mësuar ta shohim të dalë në deklaratë për mediat nga Kryeministria, kësaj radhe ministrja Balluku është duke dalë nga dera e Prokurorisë së Posaçme e zënë në pritë nga gazetarët pasi është marrë në pyetje për 3 orë rresht nga prokurorët e SPAK-ut, gjithmonë sipas saj për çështjen e inceneratorëve.
“Kjo është ndarja e vërtetë e pushteteve për atë që ne e kemi folur gjithmonë. Pra, qeveria ka punën e saj, parlamenti ka punën e tij dhe drejtësia ka punën e saj dhe ne jemi këtu për ta mbështetur padyshim. Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh dhe të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë njëherë e mirë të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm.”- është shprehur ministrja Balluku.
Zv.kryeministrja Balluku flet për drejtësinë, për të mirën dhe të keqen, por shmang faktin se gjurmët e aferave që kanë lënë bashkëpunëtorët e saj më të afërt si ish-Drejtori i ARRSH-së i arrestuar nga SPAK, Evis Berberi përfundojnë te zyra e saj në Ministrinë e Infrastrukturës.
Tashmë këto gjurmë kanë arritur edhe te zyra e zv.Kryeministrisë, ku i bashkëngjitën familjarët e drejtorit të kabinetit Ermal Nufi, drejtorëve që janë në varësi direkte nga ministrja Balluku, si Mehmet Hasalami, Erjola Muka dhe Irena Malolli.
Sipas Artur Meçollarit: “Korrupsioni i qeverisë shqiptare është i mirëstrukturuar, si një strukturë paralele me strukturën e hierarkisë shtetërore.”
Nën buzëqeshjen e zv.kryeministres fshihen disa padi nga opozita e vendit për atë personalisht për Portin e Durrësit, për sektorin e energjisë, dy hetime nga SPAK për koncesionin e bazës ushtarake në Sarandë dhe tunelin e Llogarasë, ku shkeljet për këtë të fundit janë denoncuar nga emisioni “Vetting” në prill 2024.
Teksa ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj u vendos nën hetim nga Prokuroria e Posaçme pasi iu ekspozuan njohjet me biznesmenët e inceneratorëve për shkak të një aksidenti me makinën që po udhëtonte në Maqedoninë e Veriut, për zv.kryeministren Balluku ka një mjegull, e cila të krijon përshtypjen e qetësisë përpara stuhisë.
Drejtorët e Ballukut nën dyshime për konflikte interesi
Në fillim të vitit 2021, konsorciumi i kompanive të huaja dhe shqiptare, ku ndër to ishte dhe kompania “ABKONS” e Besnik Leskaj do të fitonte tenderin 11 milionë euro nga Autoriteti Portual i Durrësit për hartimin e Projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano.
Të gjitha kompanitë pjesëmarrëse u skualifikuan duke u shpallur automatikisht fitues bashkimi i kompanive “ABKONS shpk”, “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V”, “ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C”, “TAULANT” shpk, “GEO-ENG shpk”. Sipas Open Data Albania ky tender paraqet dyshime për korrupsion dhe favorizim nga Autoriteti Portual Durrës.
“Po ta regjistrosh një kompani në Shqipëri, futesh tek faqja e QKB-së dhe ti shikon të gjithë pronarët me emër dhe mbiemër. Ndërsa ai që e regjistron në offshore nuk e tregon pronarin”- shprehet Pano Soko.
Biznesmeni Besnik Leskaj është person i lidhur me Ledia Totaj, automatikisht është subjekt i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, Besnik Leskaj ka deklaruar vetëm në vitin 2017 themelimin e degës së kompanisë “IKONS GLOBAL LIMITED” në Angli, por në vazhdim nuk ka deklaruar të ardhurat dhe shpenzimet me këtë kompani apo lëvizjen e aksioneve.
Por Besnik Leskaj është aksioner te kompania në Angli nëpërmjet një dege të kësaj kompanie që e ka themeluar në 2018 në offshoret e Maltës, e cila është një parajsë fiskale për biznesmenët që duan të fshehin pasuritë e tyre. Edhe në këtë rast, kjo kompani e cila zotëron aksione te kompania në Angli nuk është deklaruar në ILDKPKI nga Besnik Leskaj.
Nga dokumentet zyrtare, kjo kompani guackë është në pronësi të një kompanie tjetër malteze “Blessed Investment Limited”, e cila ka si pronar fundor kompaninë shqiptare “Blessed Investment” shpk. Kjo kompani është aksionere drejtpërdrejt te kompanitë e parqeve fotovoltaike, te kompania “IKONS” dhe “ABKONS” shpk, ku kjo e fundit ka marrë fonde nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Dy drejtoresha në Ministrinë e Infrastrukturës, Erjola Muka dhe Irena Malolli, të cilat janë anëtare të shoqërisë publike Hekurudha Shqiptare SH.a, bashkëshortët e tyre, përkatësisht Redjon Biba dhe Sokol Malolli janë drejtues te kompanitë “ABKONS” dhe “IKONS” të biznesmenit Besnik Leskaj që ka aksione te koncesioni i hekurudhës.
Është e paqartë nëse kemi konflikt interesi në këtë rast, por numri i lartë i personave të lidhur me biznesmenin ngrenë hije dyshimi, pasi duket sikur e gjithë infrastruktura është në shërbim të një familje biznesi.
Përfitimet e Ami Kozelit nga Rindërtimi
Zv.ministri i Infrastrukturës Ami Kozeli duket se ka probleme që lidhen me Rindërtimin.
Në 13 shkurt 2020, Këshilli i Ministrave me anë të vendimit nr.143 do të miratonte listën e subjekteve, të cilat përjashtoheshin nga TVSH-ja në kuadër të programit të Rindërtimit. Pra, kompanitë që kishin projekte publike që lidheshin me Rindërtimin nuk do të paguanin TVSH-në, si edhe kompanitë që do të ndërtonin projekte të lidhura me Rindërtimin, që financoheshin nga donatorë të huaj drejtpërdrejt.
Më 30 shtator 2020, Këshilli i Ministrave do të shtonte edhe një kategori tjetër përfituesish, që ishin kompanitë nënkonktraktore të përfshira në programin e Rindërtimit dhe furnizuesit e mallrave për këtë proces.
Në listën e kompanive të publikuara nga tatimet, të cilat kanë përfituar nga TVSH-ja gjendet edhe kompania “EUR0-GUAINA” ish-Mantis shpk, në pronësi të Agim Kozelit, babai i zv.ministrit të Infrastrukturës.
“Këtu kemi të njëjtin problem se kemi të bëjmë me veprime korruptive sepse dyshohet se zv.ministri ka favorizuar babanë e vet, për ti dhënë prokurime apo për ti dhënë tendera, për të përfituar nga buxheti i shtetit.”- shprehet Llangozi.
Kjo kompani është themeluar në vitin 2003 nga shtetasi italian Lorenzo Recchetti, Agim Kozeli dhe Artur Kozeli. Në 2006 ortak kalon Ami Kozeli, i cili ia rishet këto aksione babait të vet në vitin 2014.
Nga të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se kjo kompani është përjashtuar 4 herë nga pagesa e TVSH-së si nënkontraktor ose furnizues i kompanive që kanë realizuar projekte nga Rindërtimi.”
Në këtë rast Drejtoria e Tatimeve ka nxjerrë autorizime për kompaninë “EURO-GUAINA” për përjashtim nga TVSH-ja, në 17 shtator 2021, në 13 korrik, 16 shtator dhe në 4 tetor të vitit 2022.
Sipas Arben Llangozit: “Prokuroria e Posaçme duhet menjëherë të fillojë një hetim, të dokumentojë veprimet sepse përveçse kemi përfitim të ardhurash nga buxheti i shtetit kemi edhe rimbursim TVSH-je dhe kjo e ka dëmtuar dy herë Buxhetin e Shtetit dhe këtu vetëm një favorizues të përbashkët, favorizimin nga djali i vet që i bën familjarëve të vet, siç është në rastin konkret babait apo vëllait të tij.”
Kjo kompani është themeluar në vitin 2003 nga shtetasi italian Lorenzo Recchetti, Agim Kozeli dhe Artur Kozeli. Në 2006 ortak kalon Ami Kozeli, i cili ia rishet këto aksione babait të vet në vitin 2014.
Nga të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se kjo kompani është përjashtuar 4 herë nga pagesa e TVSH-së si nënkontraktor ose furnizues i kompanive që kanë realizuar projekte nga Rindërtimi.”
Në këtë rast Drejtoria e Tatimeve ka nxjerrë autorizime për kompaninë “EURO-GUAINA” për përjashtim nga TVSH-ja, në 17 shtator 2021, në 13 korrik, 16 shtator dhe në 4 tetor të vitit 2022.
Sipas avokatit Arben Llangozi, këtu kemi të bëjmë me të njëjtin problem sepse kemi të bëjmë me veprime korruptive pasi dyshohet se zv.ministri ka favorizuar babanë e vet, për ti dhënë prokurime apo për ti dhënë tendera, për të përfituar nga buxheti i shtetit.
“Prokuroria e Posaçme duhet menjëherë të fillojë një hetim, të dokumentojë veprimet sepse përvecse kemi përfitim të ardhurash nga buxheti i shtetit kemi edhe rimbursim TVSH-je dhe kjo e ka dëmtuar dy herë buxhetin e shtetit dhe këtu vetëm një favorizues të përbashkët, favorizimin nga djali i vet që i bën familjarëve të vet, siç është në rastin konkret babait apo vëllait të tij”, tha avokati Llangozi në lidhje me këtë rast.
Aferat e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku
Në gusht 2021, Ministrja Belinda Balluku do të afronte si këshilltar ligjor në stafin e Ministrisë së Infrastrukturës avokatin e ri Ermal Nufi. Aktualisht, me vendim të Këshillit të Ministrave, Nufi është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ex-officio kryeson Bordin e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor.
Prej gushtit të vitit 2022, Nufi mban pozicionin e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku. Por pse e ka mbështetur Balluku avokatin e ri për të ngjitur me shpejtësi hapat drejt kupolës së pushtetit?
Në fakt, Ermal Nufi dhe Ami Kozeli janë bazat që mbajnë në këmbë pushtetin e Ballukut dhe në të njëjtën kohë janë nën dyshimin e fortë për konflikte interesi me detyrën.
Konkretisht zv.ministri Ami Kozeli dhe vëllai i Drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Edmir Nufi së bashku rezultojnë anëtarë të Bordit Këshillimor te Koorporata e Investimeve Shqiptare, e cila përforcon dyshimet për nepotizëm dhe konflikte interesi brenda zyrës së Ballukut.
Sipas avokatit Arben Llangozi: “Të mos harrojmë që në ARRSH ka me qindra e qindra tendera, prokurime publike të cilat përfitohen nga vet personat që i drejtojnë prokurimet publike.”.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, ashtu si zv.ministri Kozeli, edhe vëllai i Ermal Nufit, Edmir Nufi rezulton ortak me biznesmenë që marrin fonde publike, konkretisht me Hamz Islamaj te kompania e transportit të kontenierëve “MARITIME LOGISTICS”, e cila ngre dyshime të pastra për konflikte interesi për shkak të tenderave të përfituara nga institucionet në varësi të Belinda Ballukut dhe Ermal Nufit.
Në 20 janar 2021, te Terminali i Kontenierëve në Durrës, Edmir Nufi, Hamz Islamaj dhe Olsi Korça do të themelonin kompaninë “MARITIME LOGISTICS”, e cila kishte si objekt veprimtarie ngarkim-shkarkimin e mallrave dhe veprimtari të tjera, por që shumë shpejt do të fillonte likujdimin.
Eksperti i ekonomisë Pano Soko sqaron: “Çfarë është procesi i likuidimit? Këto janë kompani njëpërdorimshme, pra këto quhen kompani njëpërdorimshme, çfarë bën?”.
Jetëgjatësia e kësaj kompanie ishte shumë e shkurtër pasi në 31 gusht 2022, të tre ortakët miratuan raportin e likujdimit të kompanisë, duke sjellë dhe cregjistrimin nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Hapja dhe mbyllja e kompanisë brenda një kohe të shkurtër ngre dyshime për qellimet e aktivitetit të kësaj kompanie dhe ortakëve të saj.
“Krijon një kompani në atë moment, shkon, aplikon fiton tenderin sepse nuk është kompania që po e fiton tenderin, po e fiton ti që ke miqësi me ministrin, më kupton? Pra, ti që je i afërm me ministrin do fitosh tenderin. Kompania merr tenderin, ekzekuton tenderin, merr gjithë paratë, transfertat nga thesari i shtetit, pra kryen të gjitha likuidimet dhe në moment që mbaroi tenderi, mbaroi edhe funksioni i kompanisë.”– shprehet Pano Soko.
Nga kërkimet e ”Vetting” rezulton se Hamz Islamaj është pronari i kompanisë ”BE-IS” shpk, e cila ka marrë tendera nga Rindërtimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe koncesione nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga të dhënat e siguruara nga Open Data Albania, kjo kompani në 5 vitet e fundit ka përfituar 44 milionë euro pagesa nga thesari i shtetit, duke përjashtuar tenderat që ka marrë në bashkëpunim me kompanitë e tjera.
Por, a kemi konflikt interesi në këtë rast?
Në 29 qershor 2022, Këshilli i Ministrave do të emëronte si kryetar të Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Ermal Nufin dhe 3 ditë më pas, në 1 korrik 2022, Hamz Islamaj do të fitonte tenderin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 870 milionë lekë ose 879 mijë euro, duke qenë ortak njëkohësisht në një kompani tjetër me Edmir Nufin, vëllain e kreut të ri të Bordit të ARRSH-së.
Konkretisht bashkimi i kompanive “BE-IS” dhe “ERGI” shpk do të shpalleshin fitues nga ish Drejtori Evis Berberi për Lotin 8 “Mirembajtje me performance e segmenteve rrugore Fier Shegan – Divjake + K/Rr. Nacionale – Grabian + Strume – Qafe Marinez”, edhe pse kishte kompani të tjera me oferta më ekonomike.
Avokati Arben Llangozi thekson me tej: “Kompania e cila është në ortakëri me vëllain e kryetarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, mund të kenë transaksione të dyja kompanitë dhe duhet një hetim i mirëfilltë sepse përveç veprës penale të korrupsionit që është e dukshme, kemi edhe vepër penale të pastrimit të produkteve të veprës penale sepse në qoftë se të ardhurat monetare të përfituara nga kjo kompani, kanë lëvizur dhe përfitues kryesor është vëllai i drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, atëherë kemi të bëjmë edhe me veprën e pastrimit të veprës së produktit penale.”.
Sipas nenit 11 të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar, Bordi i ARRSH-së përcakton politikat e biznesit të Autoritetit, vendimet që rregullojnë veprimtarinë, si dhe miraton programet e brendshme vjetore dhe të buxhetit korrespondues të Autoritetit.
Ndërkohë sipas nenit 12 vijues të po këtij ligji, Drejtori i Përgjithshëm është menaxheri i përgjithshëm i Autoritetit dhe vepron sipas autoritetit të deleguar nga Bordi, duke i raportuar drejtpërdrejt atij. Madje një nga kushtet për tu bërë anëtar i Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar sipas nenit 9, pika d të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar është që anëtari të mos jetë në konflikt interesi me detyrën.
“Këto janë vepra të rënda, duhet të ndiqen nga Prokuroria e Posaçme sepse kemi të bëjmë me vjedhje të buxhetit të shtetit.”- shprehet avokati Llangozi.
Por ky nuk është i vetmi tender, që lidhet me kohën e Ermal Nufit si person me rëndësi që mund të ketë ndikuar për tenderat pasi në 13 shtator 2022, përsëri “BE-IS” shpk së bashku me “ERGI” shpk do të fitonin tenderin me vlerë 372 milionë lekë ose 3.7 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për kontratën “Ndërhyrje ne zona sportive dhe lodra për fëmije “Dua te luaj” (rajoni 1 dhe 2)”.
Sipas ligjit për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, zv.kryeministri është kryetari i Këshillit Drejtues, në këtë rast Belinda Balluku dhe sipas nenit 11, pika 1/c Këshilli miraton marrëveshjet e zbatimit dhe/ose të financimit të projekteve.
Në këtë rast Ermal Nufi është Drejtor i kabinetit të zv.kryeministres prej gushtit 2022 dhe ka dyshime të forta, që mund të ketë ndikuar për këtë tender që është fituar nga ish ortaku i vëllait të vet.
Megjithatë “BE-IS” shpk nuk ka lidhje vetëm me vëllain e Drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku, por rezulton e lidhur edhe me Drejtorin në Ministrinë e Infrastrukturës për Programet e Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë, Mehmet Hasalami nëpërmjet djalit të vet Devis Hasalami.
“Thelbi i korrupsionit është devijimi i destinacionit të parasë publike nga ndërtimi i veprës publike që mund të jetë një shkollë, mund të jetë një rrugë, në disa skema që i çojnë paratë në xhepin e personit përgjegjës të administratës publike që është vendosur aty që të jetë si përgjegjës për të ruajtur dhe për të vëzhguar dhe për të siguruar që paraja do shkojë në destinacionin publik.”- shprehet Pano Soko.
Balluku i jep hidrocentralin drejtorit të saj
Më 18 korrik 2018, Ministria e Infrastrukturës do të lidhte marrëveshjen e Partneritetit Publik Privat me shoqërinë koncesionare “Kalisi Hydropower”, e cila është në pronësi të “BE-IS” shpk me aksioner Hamz Islamaj dhe “EL-PROM” shpk, asokohe në pronësi të Elton Mataj për ndërtimin e Hec-eve Veleshica 1 dhe Veleshica 2 në zonën e Kukësit me 35 vite afat shfrytëzimi.
Në 14 maj 2021, Elton Mataj do të shiste kompaninë e vet Devis Hasalamit me vlerë 2 milionë lekë ose 2 mijë euro, e cila kishte në zotërim 1% të HEC-it “Kalisi Hydropower”. Disa javë më pas, në fund të majit 2021, Hamz Islamaj do t’ia shiste 49% të aksioneve të kompanisë “Kalisi Hydropower”me vlerë 49 mijë lekë ose rreth 500 euro Devis Hasalami te kompania “EL PROM” shpk. Kujtojmë se kjo kontratë e Partneritetit Publik Privat ka marrë për shfrytëzim për 35 vite zonën për prodhimin e energjisë elektrike, fakt i cili ngre dyshime për evazion fiskal.
“Kjo është një nga format se si paratë publike përfitohen. E thashë, forma tjetër është forma klasike, me një cantë çohen paratë te shtëpia, te zyra apo tjerë e tjerë. Dhe ne kemi pasur raste kur funksionarëve të lartë që u janë gjetur para në shtëpi”
Në momentin që këto kontrata publike ndryshojnë numrin e aksioneve brenda vet kompanisë, vihet në dijeni Autoriteti Kontraktor që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nën drejtimin e Ballukut. Por ka një problem se kompania që zotëron një pjesë të aksioneve te “Kalisi Hydropower” ka ndryshuar pronarin dhe rrjedhimisht ka një tjetër pronar, pavarësisht se kompania ngelet “EL PROM” shpk.
Nga dokumentet zyrtare rezulton se Ministrja Balluku ka qenë në dijeni për ndryshimin e pronësisë dhe ajo që e bën më interesant këtë fakt është se dokumenti i vitit 2022 që pasqyron një shtesë në kontratën 2022 është firmosur nga një zv.ministër i Infrastrukturës, ku në dokument rezulton i fshirë identiteti për shkak të dokumentit të keqskanuar.
Skandali me mbetjet dhe pronat e ushtrisë
Skandali me eksportin ndërkombëtar, ku dyshohet se janë eksportuar mbetje të rrezikshme ka sjellë nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Durrësit në gusht të vitit të kaluar.
Numri i lartë i zyrtarëve të përfshirë në këtë aferë ngre pikëpyetje se si do të hetohet kjo çështje nga Prokuroria e Durrësit, për të cilën ka kompetenca të posaçme SPAK dhe burime njerëzore dhe teknologjike, që mundësojnë zbërthimin e njërit prej skandaleve më të mëdha që ka mbërthyer qeverinë shqiptare.
Në këtë rast jo vetëm Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përgjegjësi, por edhe Ministria e Infrastrukturës pasi ka në varësi Autoritetin Portual të Durrësit dhe sipas ligjit për transportin e mbetjeve të rrezikshme është ministria përgjegjëse, gjë e cila është anashkaluar në hapësirën publike.
“Ka përgjegjësi dhe Ministria e Transportit (Infrastrukturës), e cila e kishte për detyrë të monitoronte transportin e mbetjeve toksike.”- shprehet Shehaj.
Sipas Artur Meçollarit: “Në Shqipëri, Ministria e Infrastrukturës tenton të mbrojë ato institucione të cilat kanë pasur përgjegjësinë për të kryer këtë kontroll për të mos zbuluar për të mos lejuar trafikimin.”.
Sipas Artur Meçollarit, ish Komandanti i Forcave Detare të Ushtrisë Shqiptare, mbrojtja që institucioni i Ministrisë së Infrastrukturës i bën Autoritetit Portual në lidhje me transportin e mbetjeve, e lë të kuptoj që në këtë rast kemi të bëjmë me mbetje të rrezikshme.
Problemi kryesor në gjykimin tim është Autoriteti Portual i Durrësit për shkak se kemi të bëjmë me një strukturë plotësisht shtetërore, pra mbetjet kanë hyrë në një strukturë shtetërore, ku kontrolli ose niveli i sigurisë është plotësisht në nivelin e Autoritetit Portual…”
Por ky nuk është i vetmi skandal që ka përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës pasi Balluku është e përfshirë te skandali i pronave të ushtrisë në Sarandë në portin e Limionit.
“Ministrja e Infrastrukturës është direkte e përfshirë në dhënien e bazës së Marinës me kompaninë Marina Limion për shkak se ajo ka miratuar vendimin e Komisionit të Koncesionit dhe ajo ka miratuar dhe në të njëjtën kohë ka mbajtur korrespondencën me Ministrinë e Mbrojtjes dhe është në dijeni të refuzimit që i është bërë nga Ministria e Mbrojtjes nga ana e forcës detare për shkak se u cenua siguria detare.”- shprehet Artur Meçollari.
Disa muaj më pas, zyra e Ministrisë së Infrastrukturës është bastisur nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas Meçollarit: “SPAK-u ka kryer këqyrje në Sekretarinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe këto këqyrje ndodhin zakonisht kur SPAK-ut gjendet përballë faktit të mosdhënies së informacionit.”.
Zhvatja e pasurisë publike, ortakëritë e familjarëve të zv.ministrave dhe drejtorëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kapja e fondeve publike nën hijen e dyshimit për korrupsion dhe favorizim janë një pasqyrë se si zyrtarët e lartë kanalizojnë paratë publike në parajsat offshore duke përdorur lidhjet familjare nëpërmjet biznesmenëve, që janë fuqizuar nën hijen e qeverisë aktuale.
“Në këtë pikë që është Shqipëria sot, në vitin e 34 të korrupsionit, shqiptarët janë të ngopur dhe duhet të kërkojnë patjetër një gjë ndryshe.”- thekson Pano Soko.
Sipas Arben Llangozit: “Duhet të kemi besim te drejtësia, drejtësia vonon, por nuk harron dhe cilido që cenon taksat e qytetarëve shqiptarë do marri ndëshkimin e merituar një ditë”
Sot që flasim, Prokuroria e Posaçme ka rreth 1 mijë çështje nën hetim për zyrtarët e lartë, duke pasqyruar dhe nivelin e lartë të korrupsionit në administratën publike, e cila ka filluar të stepet në firmosjen e letrave me porosi nga shefi.
Deri më sot i vetmi rast publik, që është nën hetim për fshehje pasurie në offshoret e Londrës është Ceno Klosi, zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili nuk ka deklaruar pasuritë në Londër, hotelin, kompanitë “RCR BARS Limited” dhe “First Bar Limited” në ILDKPKI. Pavarësisht se rasti është denoncuar me prova dhe fakte nga emisioni “Vetting”, Klosi u katapultua në detyrë edhe aktualisht vazhdon të jetë në konflikt interesi me detyrën pasi rezulton aksioner aktiv te “First Bar Limited” në Londër në kundërshtim me ligjin.
/EMISIONI “VETTING”