Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës para diasporës në Parma tha se PD do të punojë për një Shqipëri ku jetohet normalisht. Berisha tha se, Shqipëria madhështore është qëllimi më madhor i jetës sime në këtë stad.
“Miq, iu rikujtoj këtu në takim të kryesuar nga Silvio Berluskoni i Forza Italia.
Në atë takim, miku i madh i shqiptarëve iu drejtua të pranishmëve se ne do aplikojmë paketën fiskale që ka aplikuar Sali Berisha dhe PD në Shqipëri. Kjo është e vërteta.
Dhe unë iu garantoj ju, garantoj miqtë tuaj italianë se Shqipëria do bëhet vendi më tërheqës për investimet tuaja, investimet e italianëve, investimet ndërkombëtare.
Chris LaCivita u tha shqiptarëve se unë erdha këtu së bashku me PD-në dhe Berishën për të ndërtuar Shqipërinë e madhërishme.
Disave iu duk si e tepërt kjo, por ajo Shqipëri nuk ishte e pamadhërishme kur ndërtoi 11 mijë kilometra rrugë, autostrada, tunele në mandatin e saj, kur dyfishoi rrogat dhe pensionet e shqiptarëve, kur anëtarësoi Shqipërinë në NATO, kur mori rekomandimin për statusin e vendit kandidat.
Nuk ishte e pamadhërishme kur nënshkroi kontratën për gazsjellësin TAP, projektin më të madh energjetik të asaj kohe në Evropë, bashkë me qeverinë e këtij vendi mik.
Kështu që të mos i duket kurrkujt një iluzion.
A nuk u faktuam ne një parti e të pamundshmeve?
A nuk bënë gjithçka kundër nesh, kukulla e Xhorxh Sorosit, Xhorxh Sorosi dhe kukullat e tij në Uashington? Për të na zhdukur ne, për të mos qenë.
Por ja ku jemi sot, ja ku po shkojmë sot drejt fitores.
Ndaj dhe programi ynë, së pari një Shqipëri ku jetohet normalisht.
Objektivi i parë, më i rëndësishëm, një Shqipëri ku biznesi ka sukses, ka besim, sjell investime, krijon vende pune, zgjeron aktivitetin.
Një Shqipëri me zero tolerancë ndaj mafies dhe krimit të organizuar.
Një Shqipëri me zero tolerancë ndaj korrupsionit.
Këto janë të domosdoshme, janë themele, por nuk mjaftojnë.
Shqipëria madhështore kërkon që ëndrra e bijave dhe bijve të saj, të ndërtohet në Shqipëri dhe të ndërtohet me të avancuarat që ka koha.
Kjo kërkon që Shqipëria të bëhet një epiqendër e rëndësishme e high-tech-ut në rajon dhe më gjerë. Të bëhet Shqipëria e internetit 3, e blockchain, e kriptomonedhave, e inteligjencës artificiale, e datacenter-ave.
Kjo është Shqipëria e ëndrrës rinore shqiptare.
Kjo do jetë Shqipëria madhështore.
Dhe unë u jap fjalën ju, u jap fjalën shqiptarëve se ky është qëllimi më madhor i jetës sime në këtë stad”, tha Berisha.