Në deklaratën e SPAK pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj tërhoqi vëmendje mes të tjerave edhe përfshirja në këtë çështje e deputetes socialiste Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve.
Ajo është vënë nën hetim me dyshimet se ka qenë e përfshirë në veprime aktive në një fushatë për frikësimin e dëshmitarëve, helmimin e provave dhe pengimin e hetimit në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti.
Në dosjen qindra faqëshe të GJKKO-së, Bushka thuhet se ka ndërhyrë për të penguar hetimet e SPAK, duke intimiduar dëshmitarë dhe duke u marrë telefonat që të mos i dorëzonin në SPAK.
Dhe për të kuptuar pozicionin e saj në këtë çështje “Ora News” ka siguruar pamje Klotilda Bushka shfaqet në zyrën e Ajola Xoxës, që ashtu siç u vu në rresht administrata e Bashkisë së Tiranës në shesh, ashtu thuhet se edhe ajo e mblidhte gjyqësorin në katin e 10-të të “Sky Tower”!
Burimet thonë se Hazbiu përveçse për konsulencë, ajo “përdoret” edhe për të përkthyer Kushtetutën, sikurse ka bërë në kohën e reformës në drejtësi, kur ajo shërbente si Këshilltare në procesin e reformës në drejtësi.
Kujtojmë se kjo zyrë është edhe e para ku zbarkoi BKH-ja dhe SPAK-u dhjetorin e vitit të kaluar dhe është lehtësisht e verifikueshme sa i përket vërtetësisë së pamjeve të publikuara.
Ndërkaq burime nga ish-stafi i bashkëshortes së kryebashkiakut të arrestuar dhe nën hetim për pastrim parash dhe fshehje pasurie, Erion Veliaj bëjnë me dije fakte tronditëse se në zyrën e Ajola Xoxës janë hequr prokurorë dhe gjyqtarë nga sistemi, ku dhe po ashtu, janë emëruar prokurorë dhe gjyqtarë të tjerë që kanë lënë çanta me lekë për futjen apo qëndrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.
Skandali shkon dhe më larg. Sipas burimeve në fjalë, në këtë zyrë, ku disa herë e pranishme ka qenë edhe vetë Bushka janë paraqitur prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët kanë kërkuar kalimin e procesit të shumë-anatemuar të Vetting-ut.
Por se cili ka qenë roli konkret i Bushkës në këto procese ku vetë Bushka duket se është në konflikt interesi si përfaqësuese e pushtetit legjislativ në raport me pushtetin gjyqësor mbetet për t’u parë nga hetimet e mëtejshme të SPAK-ut, nëse do të ketë edhe në këtë aspekt.
E nga ana tjetër, mësohet se në këtë zyrë “paraqisnin forcën” edhe prokurorë dhe gjyqtarë që kishin probleme me institucionet e Apelimit apo Verifikimit dhe kishin nevojë për konsulencë më profesionale dhe më të thelluar në sistemin e drejtësisë së reformuar nga Fatmir Xhafaj, i cili së fundmi ka propozuar edhe ngritjen e një komisioni “special” parlamentar për të kontrolluar organet e pavarura të drejtësisë.
Në fakt kjo nismë tashmë ka nisur të komentohet në media se vjen nga paniku se sistemi që ata ngritën po i del jashtë kontrollit dhe viktima të tij mund të jenë pikërisht ata që e hartuan, votuan dhe ngritën struktura të pavarura si SPAK dhe GJKKO.
Bëhet fjalë për takimet që zhvilloheshin jo pak herë në ambientet e zyrës së konsulencës ligjore “Partneres”, që administrohej nga Ajola Xoxa, në të cilën Klotilda Bushka ndihej si në shtëpinë e saj.
Në fakt vetë ligjvënësja socialiste nuk e ka mohuar lidhjen e fortë me Xoxën, por për hetuesit e dosjes “Veliaj”, ajo është përfshirë në operacione të mirëfillta kriminale për shkatërrimin e provave hetimore, apo edhe intimidimin e dëshmitarëve të procesit të thirrur nga SPAK-u.
Vetëm 4 ditë nga arrestimi i Veliajt Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka u shfaq aktive në takimet e saj të influencës së dyshuar për prishjen e provave për dosjen e Erion Veliaj dhe Ajola Xoxës.
Megjithatë kjo duket se nuk e ka shqetësuar Bushkën pasi është fotografuar sërish së bashku me avokatin e Ajola Xoxës, Ermir Beta./Oranews