Berisha: Kërkojmë shtyrjen e afatit të regjistrimit të diasporës dhe njohjen e dokumenteve të skaduara edhe në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi gjatë një konferencë shtypi, shtyrjen e afatit të regjistrimit të diasporës dhe njohjen e dokumenteve të skaduara edhe në Shqipëri.

“Dje parlamenti miratoi një akt vetëm 5 ditë përpara përfundimit të afatit të regjistrimit, në të cilin bën të mundur të votojnë me dokumente të skaduara qytetarët shqiptarë jashtë vendit.

Së pari, unë u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve jashtë vendit të bëjnë gjithçka që këto 4 ditë që kanë mbetur, të shumëfishojnë numrin e shqiptarëve jashtë vendit që do votojnë më 11 maj dhe të bëhen kontributorë historikë në përmbysjen e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, narkoshtetit të Edi Ramës.

Vota e tyre ka një rëndësi përcaktuese.

Së dyti, kërkoj, dhe zyrtarisht do paraqesim kërkesën pranë KQZ, që të shtyhet afati i regjistrimeve pasi ky akt ka dalë shumë, shumë, shumë me vonesë.

Pra, ky akt i votuar vetëm 5 ditë para skadimit të afatit të regjistrimit, de facto e bën të pazbatueshëm në kuptimin që edhe njoftimi për miratimin e këtij akti është një njoftim shumë i mangët.

Ndaj dhe kërkoj shtyrjen e afatit të regjistrimit.

Dhe së fundmi kërkoj, dhe do dërgoj në Gjykatë Kushtetuese, respektimin e barazisë së shtetasve shqiptarë kudo që janë. Vlefshmërinë e dokumenteve të skaduara si për qytetarët në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit.

Nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë këtë diskriminim të madh përveç fobisë nga vota e qytetarëve shqiptarë.

Ky është një akt i turpshëm dhe ne do bëjmë çdo gjë që qytetarët shqiptarë të konsiderohen të barabartë para ligjit”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Lista e hapur është bërë me më të shquarit e komunitetit! Do të doja që secili të ishte në listën e mbyllur

Kryetari i PD, Sali Berisha është ndalur edhe te lista e hapur e PD-së, duke …