Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim virtual me diasporën shqiptare, shprehu mirënjohjen për punën e bërë nga demokratët dhe qytetarët shqiptarë në Bergamo. Ai e cilësoi organizimin e takimeve një arritje të jashtëzakonshme, duke theksuar se ata kanë qëndruar të palëkundur pavarësisht përpjekjeve për të shkatërruar PD-në.
“Mirënjohje të thellë për të gjithë demokratët dhe qytetarët shqiptarë në Bergamo për takimet e shkëlqyera që keni organizuar dhe vazhdoni të organizoni.
Në fakt, në rast se marrim parasysh kaluarin që iu imponua PD-së, përpjekjet për ta zhdukur këtë forcë politike në një hakmarrje të verbër, dhe unë iu them ju se ajo që ndodhi me PD-në ishte verbëria e ekstremit të majtë shqiptar dhe ndërkombëtar, të cilët donin me çdo kusht një Shqipëri pa opozitë të vërtetë.
Por ata dështuan sepse edhe në kohërat më të vështira, më kritike, demokratët qëndruan me besimin tek e vërteta.
Pavarësisht se kishin përballë makinerinë politike më gjigante siç ishte administrata e Joe Biden, e kontrolluar nga George Soros jashtë imagjinatës dhe qeverinë e drogës dhe krimit të Edi Ramës.
Tani ne jemi në prag të fitores.
Kurrë ndonjëherë më afër nuk ka qenë fitorja dhe nuk ka qenë si sot në duart tuaja. Ndaj të bëjmë çdo gjë që më 11 maj çdo shqiptar jashtë vendit të votojë”, tha Berisha.