Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka votuar sot në primaret e PD-së, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për pluralizmin politik dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
Gjatë një prononcimi për mediat pas votimit, Berisha e cilësoi këtë proces si një akt të rëndësishëm për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Ai i bëri thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së të besojnë se, pavarësisht sfidave, liria do të dalë më e fortë pas këtyre zgjedhjeve, duke u shprehur se PD ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë për shqiptarët.
Lideri demokrat, Sali Berisha gjithashtu theksoi se kjo është një ditë që do të forcojë më tej angazhimin e partisë për një Shqipëri më të lirë dhe më demokratike.
PRONONCIMI I PLOTË
Një përshëndetje të përzemërt të gjithë demokrateve dhe demokratëve që kanë votuar dhe do votojnë sot për të shprehur vullnetin e tyre për kandidatin që ata dëshirojnë t’i përfaqësojë në Parlamentin e Shqipërisë.
Kjo është një ditë e rëndësishme për PD, është një ditë e rëndësishme për pluralizmin politik në Shqipëri dhe për lirinë.
PD prin në betejën e saj për liritë dhe të drejtat e anëtareve dhe anëtarëve të saj, e qytetareve dhe qytetarëve të Shqipërisë. Ktheni pak kokën, mbyllni pak sytë dhe shihni se çfarë ndodh në partinë tjetër. Se në çfarë kthetrash, çfarë honesh vidhisen në këtë periudhë. Ndaj dhe, ky është një akt shprese për shqiptarët që liria nuk do të shuhet kurrë në këtë vend, por do dalë shumë më e fortë nga këto zgjedhje.
Pyetje: Z.Berisha, e patët të lehtë ta bënit zgjedhjen tuaj?
Berisha: Shumë të vështirë, sepse kishte kandidatura aq konkurruese, sa ishte e vështirë ta përqendroje vendimin tek një e veçantë. Do të doja të ishin disa, por unë respektova statutin.