Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka reaguar në rrjetet sociale pas debateve që ndodhën në takimin me Zelenskyn. Trump shkruan se takimi i sotëm në Shtëpinë e Bardhë ishtë kuptimplotë dhe u arrit të mësohej shumë.
Më tej Trump shkruan se presidenti ukrianas nuk është gati për paqe. Në postimin e tij, presidenti amerikan shkruan se Zelensky e shikon përfshirjen e SHBA në negociata sikur i jep atij avantazhe, por ne duam paqe jo avantazhe.
Trump thotë se presidenti ukrainas nuk respektoi Shtetet e Bashkuara dhe mund të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë kur të jetë gati për paqe.
“Ne patëm një takim shumë domethënës në Shtëpinë e Bardhë sot.
U mësua shumë që nuk mund të kuptohej kurrë pa biseda nën një zjarr dhe presion të tillë.
Është e mahnitshme ajo që del përmes emocioneve dhe unë kam vendosur që presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata.
Nuk dua avantazhe, dua PAQE.
Ai nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale.
Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe“, shkruan Trump.