Berisha: Në 3 muajt e fundit kanë ndodhur ndryshime të mëdha, fitorja është e jona!

Duke folur para mijëra shqiptarëve të mbledhur në Milano, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, në 3 muaj e fundit ndryshime të mëdha kanë ndodhur.

Berisha u shpreh, se 3 muaj më parë askush nuk e kishte besuar se, në Tiranë për të udhëhequr fushatën e opozitës do të vinte kryestrategu i Donald Trump, Chris LaCivita.

“Ky është viti i diasporës, dhe mbi të gjitha i juaji sepse, para zgjedhjeve, ju i keni bërë Shqipërisë dhuratë tjetër po kaq të çmuar.

Unë ju them ju, se kjo dashuri që dëshmoni ju, se kjo energji që dëshmoni ju, se ky entuziazëm po  ngroh zemrat e çdo shqiptari, po zgjon shpresat e çdo shqiptari, po rikthen besimin tek Shqipëria, tek çdo shqiptar.

Kjo dashuri, ky mall, ky pasion është kthyer në eliksirin e fitores të shqiptarëve për Shqipërinë!

Miq, e keni patur një vështirësi të veçantë. Kur shoh këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm, rri edhe mendoj: problemi se terrori, se varfëria, se burgosjet politike, se plaçkitja masive i ka topitur shqiptarët. Pse ju jeni kaq në këmbë? Ka entuziastë, kaq shpërthyes?

Sepse, jetoni në një vend të lirë dhe e dini se, nuk burgosen kundërshtarët politikë për të marrë mandate. Dhe e dini se, nuk ndërtohet me çmime 10-fish rrugët dhe shkollat për të vjedhur qytetarët.

Dhe e dini se, nuk grabiten dhe plaçkiten pasuritë e shqiptarëve për t’u pasuruar një grusht hajdutësh në krye të shtetit dhe qeverisë. Ndaj dhe, kjo është arsyeja që jeni në këmbë. Kurrë ndonjëherë ndërgjegjja kombëtare nuk ka qenë, ndofta që nga pavarësia gjer sot, më e përqendruar tek shqiptarët jashtë atdheut se sa është sot.

Miqtë e mi, fitorja është e jona. Ne ia kemi dalë. Vetëm po merrni 3 muajt e fundit ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur. Le t’i bëjmë një pyetje bashkërisht vetes: Sikur Sali Berisha të deklaronte nga dritarja e katit të tetë tri muaj më parë se, në Shqipëri do zbarkojë për të drejtuar fushatën e PD-së kryestrategu i planetit, kryestrategu i rikthimit më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të Donald Trump, a nuk do thoshit, askush nuk do ta besonte.

Sikur, 3 muaj më parë të deklaroja nga ajo dritare se, të gjitha partitë politikë të qendrës së djathtë, qindra prej tyre, në 3 rezoluta do të dënonin regjimin e Edi Ramës, narkodiktaturën, do mbështesnin shqiptarët dhe të drejtat e tyre.

Miq, po ndalem në disa raste.

Po, sikur të kisha thënë se, Antony Blinken, njeriu që nën diktatin e Xhorxh Sorosit mori përsipër të shkatërrojë opozitën për hir të Edi Ramës. T’iu thosha shqiptarëve se, Antony Blinken do të shpallet non grata në vendin e tij, kush do ta besonte?

Sot, siç e dini, nuk i lejohet të futet në asnjë ndërtesë federale të SHBA-ve”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Deputetët që nuk janë në lista i ftoj që të kontribuojnë! Në politikë udhëtimi nuk ka vetëm një finish!

Lideri i opozitës, Sali Berisha u bëri thirrje nga Elbasani edhe atyre që nuk u …