Berisha: Te programi i PD për energjinë dhe burimet natyrore shoh Shqipërinë Madhështore të viteve që vijnë

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë prezantimit të programit për sektorin e energjisë dhe burimeve natyrore, u shpreh se, te programi i PD për energjinë dhe burimet natyrore shoh Shqipërinë Madhështore të viteve që vijnë. Berisha tha se, ne do i japim një rëndësi të jashtëzakonshme sektorit minerar.

“Në këtë kuadër, mobilizimi i potencialit intelektual dhe ekspertizës më të mirë shqiptare dhe të huaj, është një objektiv i yni.

Fuqizimi i institucioneve tona kërkimore shkencore është kusht i domosdoshëm që këto pasuri të shfrytëzohen në mënyrë racionale dhe të shndërrohen në pasuri të vërteta për shqiptarët.

Mineralet, nafta, gazi, janë shfrytëzuar prej kohësh, por ka shfrytëzim e shfrytëzim. Ka shfrytëzim kolonial, ka shfrytëzim tjetër në të cilin në vendet e lira, këto pasuri shndërrohen në pasuri të qytetarëve, në shumë mënyra. Këtu synojmë ne.

Ne do i japim një rëndësi të jashtëzakonshme sektorit minerar. Do i japim një rëndësi të jashtëzakonshme shfrytëzimit të këtyre potencialeve, zbulimit të potencialeve të tjera, industrisë përpunuese.

Këto shkojnë me njëra-tjetrën, energjia dhe minierat, mbështesin njëra-tjetrën. Dhe unë shoh në këtë program, shoh Shqipërinë Madhështore reale të viteve që vijnë.

Ndaj dhe ju falënderoj shumë për këtë kontribut dhe ftoj të gjithë ekspertët, specialistët e këtyre fushave të një rëndësie shumë të madhe, të shprehin mendimet e tyre në mënyrë që ky program i paraqitur të pasurohet në të gjitha aspektet dhe të instalohet pas 11 majit me vendosmëri, përgjegjësi dhe saktësi, në mënyrë që të shënojmë gjithnjë e më shumë, të ecim gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë Madhështore.

Në këto fusha, natyra dhe Zoti u ka dhënë gjithçka shqiptarëve. Mbetet në duart e tyre ta konkretizojnë Shqipërinë që duan”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Dash Sula nuk do të jetë në listat për deputet të partisë së re

Kreu i Nismës Thurje (pjesë e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet), Endri Shabani, është shprehur se …