Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me strukturat në degën e Durrësit. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati u shpreh se takimet e zhvilluara me diasporën ishin mjaft entuziaste, pasi aty mblidheshin njerëzit që e vlerësojnë lirinë.
Berisha deklaroi se, Shqipëria nuk është një vend për t’u braktisur, por të tillë e bëri qeveria e sotme me narkoshtetin dhe narkodiktaturën.
“Mirëmbrëma, dhe një përshëndetje të përzemërt!
Së pari, dua t’ju përshëndes ju përzemërsisht, të shpreh vlerësimin tim shumë të madh për punën dhe përkushtimin që treguat për angazhimin e diasporës shqiptare, për herë të parë, në historinë e këtij vendi për të shprehur vullnetin e tyre në zgjedhjet e 11 majit.
Puna e bërë nga ju, drejtuesit e degës, kandidatët, që nderuan garën, krijuan një epërsi të madhe morale dhe numerike në mbështetjen e PD kudo në Itali, Gjermani, SHBA, Britani dhe kudo. Mendoj se, me fitoren tonë në diasporë, në kuptimin e një angazhimi, një entuziazmi, një optimizmi të pa parë, ju garantoj që unë kam përjetuar takime të tilla, veçse në vitet 1990-1991. Një entuziazëm i papërmbajtur, i papërshkruar i qytetarëve shqiptarë jashtë vendi.
Dhe e kam pyetur veten shumë herë, pse kjo, çfarë ndodh me ta?
Dhe përgjigja është vetëm një: sepse ata jetojnë në vende të lira dhe ata e kuptojnë më mirë se të gjithë të tjerët se çfarë do të thotë të persekutosh, të arrestosh për motive politike, drejtuesit e partive politike opozitare. Se çfarë do të thotë të marrësh mandate të fituara me votë të opozitës.
Se çfarë do të thotë të burgosësh deputetë të rinj të opozitës, vetëm e vetëm se guxojnë t’u thonë qytetarëve shqiptarë të vërtetën.
Ata, më shumë se të gjithë të tjerët e ndiejnë se Shqipëria nuk është një vend për t’u braktisur, por të tillë e bëri qeveria e sotme me narkoshtetin dhe narkodiktaturën.
Pra, në këto takime kam konstatuar, atë, të themi edhe urrejtje ndaj regjimit, por edhe optimizëm dhe entuziazëm për rrëzimin e tij. Dhe këtu, keni merita të mëdha, të gjithë ju që punuat, të gjithë ju që u angazhuat në dialog, në bashkëbisedim dhe i ftuat ata të kontribuojnë kësaj here për shpëtimin e Shqipërisë”, u shpreh Berisha.