Lideri i opozitës, Sali Berisha ka komentuar zhvillimet e fundit në SHBA, duke i cilësuar ato si ndryshime epokale me ndikim të drejtpërdrejtë në Shqipëri. Ai ka deklaruar se, megjithëse nuk ka një plan për të udhëtuar drejt SHBA para 11 majit, situata politike dhe juridike atje po ndryshon rrënjësisht.
“Unë nuk kam një projekt që të udhëtoj para 11 majit drejt SHBA. Por, siç e keni parë ju, ato ndryshime epokale në SHBA flasin vetë, nuk ka nevojë t’i komentojë Sali Berisha.
Gjarprit iu pre koka.
Edi Rama heq dhe vë fotografitë, bën ‘woke culture’ me fotot e Aleksis Soros dhe Xhorxh Soros.
Dosja McGonigal ka filluar të ecë, është në këmbë.
Dy gjëra mund t’u them, në rast se unë nuk kam në plan një vizitë në SHBA, unë u garantoj se Edi Rama do ekstradohet pas 11 majit në SHBA.
Atë e pret ekstradimi. Ose pastaj do vijnë të gjykohen këtu, një gjyq i përbashkët. Por më shumë të shkojë atje ku ka kryer krimin!”, tha Berisha.