Berisha: Ne do protestojmë kundër mbylljes së TikTok sepse është një akt i rëndë censure

Kryetari i PD, Sali Berisha, në komunikimin e të shtunës me qytetarët, tha se protesta e 15 Marsit do të jetë kundër mbylljes së TikTok nga qeveria, duke e cilësuar si një akt të rëndë censure.

I pyetur nga qytetarët se pse është ky reagim i PD ndaj vendimit të qeverisë, Berisha i thotë se duhet ta pranojmë që TikTok-u është një mjet jashtëzakonisht tërheqës dhe komod për komunikimin.

“Por akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën, është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe.

Për më tepër, Edi Rama mori shkas për bllokimin e tij një shkak të rremë, një pretekst të rremë”, theksoi Berisha gjatë komunikimit të tij.

Pjesë nga biseda me qytetarët:

Pyetja juaj është e drejtë dhe është e vërtetë se shqiptarët, më shumë se për çdo gjë tjetër, vuajnë për ato që ju thoni.

Unë nuk e di moshën tuaj, por për ata që kanë përjetuar në diktaturë, e kanë të qartë se censura, cilado qoftë ajo, është akti më i shëmtuar i diktaturës, dhe të gjitha diktaturat nisin me censurën.

Zef, lidhur me këtë, dua të rikujtoj një fjalë të presidentit Donald Trump, që në vlerësimin tim është deklarata më e fuqishme e jetës së tij.

Ai u tha amerikanëve para se të fitonte, se rreziku më i madh për kombin tonë nuk është Kina, nuk është Rusia, ata janë, por rreziku më i madh është armiku i brendshëm.

Ai armik që lartësonte flamurin e censurës, që ngrinte në institucionet e vendit të lirisë zyrat e censurës.

Kompanitë e mëdha, që bënë revolucion në komunikimin në shoqërinë njerëzore, u rikthyen tek censorët dhe krijuan shtabet e censurës.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në një vizitë blic në Shqipëri, të vetmen marrëveshje që firmosi ishte marrëveshja për censurën me ministrin e Jashtëm.

Pse ky reagim?

Sigurisht duhet ta pranojmë, TikToku është një mjet jashtëzakonisht tërheqës dhe komod për komunikimin.

Por akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën, është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe.

Për më tepër, Edi Rama mori shkas për bllokimin e tij një shkak të rremë, një pretekst të rremë.

Ai tha se i ndjeri Martin Cani u vra nga shoku i tij sepse u zunë në TikTok.

Por kompania deklaroi botërisht se as Martini, as shoku i tij nuk kishin llogari në TIkTok.

Kjo është arsyeja pse ne protestojmë.

Ne protestojmë kundër censurës, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi.

Ky bënte atë që bënte Enver Hoxha me Zërin e Amerikës që i vinte zhurmues në 4 anët, apo me televizionet italiane që u vinte zhurmues në mënyrë që njerëzit të mos dëgjonin të vërtetat nga këto mjete.

About Redaksia

Check Also

Plas në PS për listën e Fierit

Në një intervistë për News24, deputeti i PS-së, Petro Koçi, ka komentuar kandidimin e Ceno …