Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u prezantuan kandidaturat për zgjedhjet e 11 majit, lideri Sali Berisha në fjalën përballë anëtarëve, vuri theksin te kriza e thellë që ka pllakosur vendin dhe te qeverisja e korruptuar e mazhorancës.
Ai theksoi se shqiptarët po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, ndërsa qeveria i shmang problemet reale me propagandë boshe. Sipas tij, Partia Demokratike ofron alternativën më të mirë për daljen nga kjo situatë dhe për ringritjen e vendit.
“Kanë 2 muaj që këndojnë himnin e hajdutit, që lajmet nuk kanë asgjë tjetër vetëm Lali Vjedhësin, se si Lali Vjedhësi nuk ka vjedhur, se si po merreni me fustanet, packa se ishte gardëroba si e Lajla Asadit, identike.
Kur Lajla Asadi shkoi në Moskë, dy lajme dolën, që Asadi solli kaq flori dhe që Lajla kishte 1 milion dollarë garderobën.
Pra, zotëria tani është zhytur në park zoologjik dhe me këto mendon se do i hutojë shqiptarët.
Nuk u thotë një fjalë për ujin e pishëm, nuk u thotë nj fjalë për kafshatën që ua preu, nuk u thotë një fjalë për çmimet stratosferike, nuk u thotë një fjalë për pabarazinë e tmerrshme që ka krijuar në rroga të ulëta dhe të larta, u thotë që po u rritën pensionet, përmbyset Shqipëria dhe mendon se këto do ua kompensojë duke prodhuar çdo mëngjes zhaba, zhapikë, hardhuca dhe kafshë të tjera të natyrës.
Pra, ndërkohë epërsia jonë është morale dhe programore.
Ne kemi një program të shkëlqyer, një program që nuk e ka pasur kurrë Shqipëria më parë.
Një program të hartuar me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të fondacioneve Heritage dhe Adenauer.
Një program, i cili këtë Shqipëri të sotmen, që braktiste masivisht nga shqiptarët, e shndërron në një Shqipëri Madhështore, krenare për shqiptarët.
Një program i cili në çdo kolonë të tij, në çdo projekt të tij është konkret dhe 100 përqind i realizueshëm.
Një program me paketën e dhembshurisë. Sigurisht ajo do jetë paketa e parë. Ata që numërojnë kafshatat, ata qënuk mjekohen, nuk do numërojnë kurrë kafshatat se do marrin shumën që i nxjerr jashtë varfërisë ekstreme. Do marrin ilaçet siç i meritojnë. Do marrin kartën e konsumatorit, do i marrin më lirë ushqimet, pa tajksa. Nuk mund të vuajnë ata për kafshatën.
Vetëm një Shqipëri e tillë do ringjallet, do rizgjohet dhe do bëhet Shqipëri prodhuese.
Made in Albania do jetë krenaria shqiptare. Do bëjmë gjithçka që çdo burim, tokësor, mbitokësor, nëntokësor, turistik, etj, të shndërrohet në mirëqenie dhe pasuri për qytetarët shqiptarë.
Shqipëria prodhuese do të jetë motoja jonë.
Mos harroni një gjë, se do u thonë kundërshtarët se ku ishit ju kur ishit në pushtet. Po, ishim në pushtet, dhe eksportet që janë prodhim, u rritën 320 përqind.
U rritën sepse ne krijuam dhe do krijojmë prapë klimën më miqësore për biznesin. Sistemin e taksave më të ulëta. Konkurrencës më të ndershme.
Epërsia jonë është programi ynë, i cili bazohet në parimet më të avancuara të tregut të sotëm.
Një program që mban vulën e Heritage Foundation, e thinktankut konservator më të fuqishëm në botë.
Mban vulën e Adenauer Stiftung. Një program që do transformojë Shqipërinë me shpejtësi”, u shpreh Berisha.