Berisha: Ky është procesi më transparent që është zhvilluar në PD! Kandidaturat e PS-së po i përcakton krimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë mbledhjes me Kryesinë pasditen e sotme, foli mbi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në Partinë Demokratike, duke theksuar se ky është një nga proceset më të hapura dhe më transparent që ka zhvilluar kjo parti ndonjëherë. Berisha theksoi se kandidaturat e PD-së janë pjesë e një koalicioni të fuqishëm prej 25 partish, që përfaqësojnë 1/3 elektoratit shqiptar, duke i dhënë kështu një avantazh të madh në zgjedhjet e ardhshme. Sipas Berishës, ky koalicion është një mundësi e madhe për të realizuar projektin e “Shqipërisë Madhështore”.

Në anën tjetër, kryedemokrati, Sali Berisha, kritikoi ashpër procesin e përzgjedhjes së kandidatëve nga Partia Socialiste, duke thënë se ky proces është i kontrolluar nga krimi dhe korrupsioni.

Lideri demorkat, Sali Berisha theksoi se koalicioni për “Shqipërinë Madhështore” paraqitet para shqiptarëve me një listë dinjitoze, të përbërë nga luftëtarë të vendosur, specialistë të shquar, përfaqësues të inteligjencës dhe diasporës, si dhe gra dhe të rinj energjikë. Berisha beson se përzgjedhja përfundimtare do të ketë një ndikim të madh te qytetarët. Sipas kryedemokratit, programi i PD-së, me shtyllat “Made in Albania” dhe “Shqipëria Madhështore”, është më i miri dhe më realist që ka pasur Shqipëria.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh gjatë mbledhjes së Kryesisë se risia më e madhe në 34 vitet e betejave të PD është bashkëpunimi me Chris LaCivita, kryestrategun e fitores së Donald Trump në SHBA. Ai theksoi se LaCivita është angazhuar për të këshilluar dhe organizuar fushatën elektorale të PD-së dhe koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me synimin për të arritur një fitore të ngjashme me atë të Trump. Berisha tha se ky bashkëpunim ka tronditur kundërshtarët, duke iu referuar reagimeve të ashpra të tyre, dhe se më 11 maj koalicioni do të firmosë për një fitore të madhe.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME KRYESINË

Mblidhemi sot në vendimmarrjen më të rëndësishme të këtij 4-vjeçari, në miratimin nga kjo kryesi të kandidaturave që PD e Shqipërisë do paraqesë para elektoratit shqiptar së bashku me koalicionin për Shqipërinë Madhështore.

Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, meritë e madhe e anëtarësisë së PD, drejtuesve të saj në degët e PD-së dhe në qendër, deputetëve të saj dhe ajo çka mund t’u them unë se ky proces qëndron në lartësinë e plotë të objektivit kryesor të PD-së, Shqipëria Madhështore.

Ky është procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në historinë e PD, me pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme, me përfaqësimin e të gjitha ndjesive, të gjitha shtresave, nënshtresave, grupeve, komuniteteve të shoqërisë shqiptare.

Por këta kandidatë për deputetë kanë avantazhin sepse janë njëkohësisht përfaqësuesit e koalicionit më të fuqishëm që ka njohur Shqipëria në 32 vite.

Ky koalicion që bashkon rreth 25 parti, të cilat pa PD-në, përfaqësojnë pothuaj një të tretën e elektoratit shqiptar.

Kjo përbën një avantazh të fuqishëm për aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe PD-në, një avantazh i cili ka goditur thellë në dëshpërim palën kundërshtare, që në fakt është në kaos të vërtetë.

Ekipi Rama-Lubi Balluku po përcakton kandidaturat tërësisht në bashkëpunim me klanet e krimit në Shqipëri.

Janë flakur edhe socialistët e fundit që kishin mbetur në atë parti dhe janë zëvendësuar me eksponentë të botës së krimit apo kushërinj, kushërira, etj, etj.

Kërcënimi është metoda bazë e përcaktimit në lista të deputetëve.

Kështu, në rast se Rama dëshironte që të lante duart me Gjiknurin, Gjiknuri i çoi një zarf jo me para, por me fotot e McGonigalit. Dhe Gjiknuri u rikthye në lista.

Dhashë këtë shembull se si po caktohet lista në krahun tjetër.

Mund t’u sjell edhe shembuj të tjerë plot se si famëzi Ceno Klosi përjashtoi socialistin asnjëherë të mençur, Petro Koçi. E të tjera me radhë, por nuk jemi për këtë çështje këtu.

Koalicioni për ‘Shqipërinë Madhështore’ paraqitet para shqiptarëve me listën më dinjitoze që është paraqitur ndonjëherë kjo parti, me luftëtarë të vendosur të kauzave të drejta të kësaj partie, të cilët në 4 vite kanë bërë betejat më të fuqishme që ka njohur opozitarizmi në Shqipëri.

Paraqitet me specialistë të shquar, me përfaqëues të inteligjencës shqiptare, të diasporës, të komuniteteve të ndryshme, dhe ndonjëherë nuk ka pasur ndonjë përfaqësi kaq të plotë para zgjedhësve shqiptarë.

Përfaqësohen gra të shquara, të rinj të vendosur dhe energjikë.

Pra, kryesia do bëjë përzgjedhjen përfundimtare të këtyre kandidaturave dhe jam i bindur se impakti i tyre tek qytetarët shqiptarë do jetë i një fakti që ndez peshë, çon peshë zemrat e tyre.

Natyrisht kjo garë elektorale, e cila ka krijuar siç keni parë vetë një klimë të pashembullt nga ’90-a gjer sot, ka si frymëzim programin e PD, një program që në shtyllat e tij, në paketën e dhembshurisë, në shtyllën Made in Albania, Shqipëria Madhështore është programi në distancë më i mirë që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët para tyre, dhe programi më realist.

Të dashur miq, betejat elektorale janë beteja luftarake.

Ato kanë strategjinë e tyre.

Në këtë kuadër, ajo që përbën dhe risinë më të madhe 34-vjeçare të betejave të PD është dhe bashkëpunimi i vendosur me kryestrategun e fitores elektorale më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, bashkëkryemagjistarin e fitores të presidentit Donald Trump, i cili mori përsipër këshillimin dhe organizimin e fushatës elektorale të PD dhe koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, në mënyrë që fitorja që ai korri në SHBA, të pasohet nga një fitore e thellë edhe në Shqipëri.

Dhe kjo siç jeni dëshmitarë ju, e ka tmerruar kundërshtarin tonë në mënyrë të papërmbajtur.

Shkallmoi!

Vetëm 3-4 ditë pas ardhjes së Chris LaCivita ai i ra tavolinës me grushta dhe është bërë banor i një parku zoologjik me avertebrorë dhe qenie të tjera, të cilat nuk i shqiten nga mendja sepse duket se në koshmaren e tij përjeton momente shumë të vështira.

Por 11 maji vjen dhe koalicioni firmos me 11 maj me ekipin që paraqitet një fitore të shkëlqyer.

About Redaksia

Check Also

Lista e hapur e PD për Tiranën

Është zbardhur lista e hapur e kandidatëve të Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, të …