Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, deklaroi disa muaj më parë, para Komisionit Parlamentar të Ligjeve, se nuk ka asnjë informacion mbi atë se çfarë është bërë me dosjen “184”, në të cilën janë përgjuar drejtues të lartë shtetërorë, të cilët komunikonin për sigurimin e votave në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e pjesshme lokale për Bashkinë e Dibrës në vitin 2016.
Hetimi për dosjen 184 ka nisur në vitin 2016 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda. Prokurorët që e ndoqën fillimisht atë çështje janë shkarkuar nga Vetingu ose janë transferuar në pozita të tjera. Pas largimit të prokurorëve të mëhershëm, dosja “184” i kaloi në dorë prokurorit Klodian Braho, i cili në atë kohë ushtronte funksionet tek Krimet e Rënda.
Prokurori Braho shpalli mos-kompetencën dhe e transferoi dosjen në Prokurorinë e Dibrës, megjithëse të dhënat e bëra publike tregonin se në atë dosje ishin të përfshirë personazhet shumë të larta të maxhorancës socialiste të Edi Ramës.
Në lidhje me këtë dosje, ekskluzivisht për “Kafe Shqeto”, avokatja Adrijana Kalaja shprehu se në momentin që Partia Demokratike bëri kallëzimin për dosjen 184, ishin marrë shumë informacione shtesë, dhe një nga këto informacione që ajo do ta dërgonte sot në SPAK është një CD.
Kalaja tha se, kjo CD është një nga 64 CD e përgjuara me vendim të prokurorisë së krimeve të rënda (po flasim këtu për vitin 2016) dhe me vendim edhe të Gjykatës, ky person ka lidhje shumë të forta me drejtuesen e prokurorisë së Dibrës, pra është bashkëshorti që është në përgjime dhe bashkëshortja i binte të hetonte dosjen ku ishte i përfshirë bashkëshorti.
“Për t’iu rikthyer Pjerin Ndreut, së pari, ai paraqet një rrezikshmëri shumë të lartë në zonën e Qarkut të Dibrës, sepse ka dhënë prova që është një rrezik potencial gjatë periudhës zgjedhore. Për këtë, siç e përmendi edhe Gjini, është lidhur me dosjen 184.
Tani, ju me të drejtë thatë se, SPAK ka ngritur një “Task Force”, ndërkohë që Partia Demokratike ka një grup ekspertësh që punojnë prej kohësh për të parandaluar çdo shkelje, duke mos lejuar që ato të agravohet. Por po e them me ironi, disa herë kemi qenë disa hapa përpara, kur kemi marrë informacion se do ndodhte diçka, dhe e kemi bërë fakt të kryer në SPAK.
Ndërkohë, kemi një shfaqje nga ana e SPAK lidhur me “Task Force”-n, sepse veprat penale të krimit zgjedhor janë të kodifikuara, nuk ka ndryshuar asgjë. Dhe para 20 ditësh, PD, bazuar në provat e reja, e çoi dosjen 184, dhe publiku e di se nëse del një provë e re, çështja është e detyruar të hapet.
Ne kemi çuar prova, kemi çuar edhe një argumentim ligjor përse nuk është hetuar siç e parashikon ligji. Dhe, sipas informacionit që kam, çështja është regjistruar, por kishim një shqetësim tjetër, pasi Dumani është shprehur se nuk e njeh dosjen.
I kemi thënë atij që na vjen keq që kreu i SPAK nuk e njeh një dosje kaq problematike, e cila është njohur deri në Gjermani dhe ne i dimë të gjitha ato. Një nga personat kryesorë të asaj dosjeje, që ka pasur edhe vendim për përgjim, është Pjerin Ndreu, një nga njerëzit më problematikë të zonës.
Një nga eksponentët, për të kujtuar edhe publikun lidhur me Pjerin Ndreun, i cili ka detyruar të gjithë stafin të deklarojë votën, përndryshe do të largohen nga puna ditën e hënë.
Në momentin që PD bëri kallëzimin për dosjen 184, më erdhën shumë informacione shtesë dhe një nga këto informacione që unë sot do të çoj në SPAK është një CD. Kjo CD është një nga 64 CD-të e përgjuara me vendim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda (po flasim këtu për vitin 2016) dhe me vendim të Gjykatës. Ky person ka lidhje shumë të forta me drejtuesen e Prokurorisë së Dibrës, pra është bashkëshorti i saj që është në përgjime dhe bashkëshortja i binte të hetonte dosjen ku ishte i përfshirë bashkëshorti.
Për këtë CD dhe këtë numër telefoni që është këtu, është dhe numri i Agron Malajt dhe për këtë numër digjet i gjithë veriu.
Ne kemi informacione të sigurta se lidhur me këtë numër, Arta Marku ka dijeni të plotë, dhe sot do të bëjmë një kallëzim shtesë. Sipas informacionit që kam, ka dijeni të plotë edhe Altin Dumani”, u shpreh Kalaja.