Alimehmeti: Rama e mban peng Bashkinë e Tiranës për hallin e vet

Kryetari i grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, tha në studion e ‘Task Forcë’, në SYRI TV me Sonila Meçon, se Bashkia e Tiranës aktualisht është ‘në vdekje klinike’. Sipas tij, ky institucion tashmë nuk është në funksion të plotë për Tiranës, ndërsa është marrë peng nga Kryeministri Edi Rama.

Alimehmeti thotë se ‘uzurpimi’ i bashkisë nga Rama, është bërë vetëm për hallin tij, me qëllim që të fitojë një mandat në zgjedhje.

“Ai është i rënë, ai ishte i rënë që më përpara. Nuk bënte më punën e kryetarit të bashkisë, merrej vetëm me hallet e veta. Nga njëri krah abuzonte, nga njëri krah mundohej të fshihte atë që abuzonte, por nuk merrej më me bashkinë. Pra, kishte rënë që në fillim si kryetar bashkie.

Kujtoj që me ortekun e parë të drejtorëve të vetë që u arrestuan, bashkia, praktikisht ra në vdekje klinike. Që nga momenti i arrestimit të Taulant Tushes, mbaroi puna, nuk guxonte njeri të firmoste më aq kollaj. Filluan të vonoheshin gjërat. Dhe kur shkon e arrestohet edhe Erion Veliaj, ne tani kemi një precedent, disa precedent në fakt në Shqipëri që kur kanë ndodhur gjëra shumë më të vogla abuzimesh nga kryetarë bashkisë, janë shkarkuar ose u është kërkuar dhënia e dorëheqjes.

Pushteti vendor dhe ai qendror janë të ndarë me kushtetutë. Se po mos të kishte qenë kështu, nuk do kishim patur dy palë zgjedhje.

Me arrestimin e Veliaj, ishte e nevojshme të mblidhej menjëherë Këshilli, por nuk e mblodhi Romina Kuko. Është detyrë e saj. Por edhe kur e mblodhi nuk e kishte fare në rend të ditës. Kryetari i Bashkisë është në burg dhe çfarë do të bëhet me bashkinë e Tiranës? Nuk e kishte fare në diskutim këtë, nuk ishte në rend dite dhe nuk pranohej dhe ajo vetë nuk erdhi.

Ja la të drejtonte seancën Jualin Hodaj, i cili është një tjetër zëvendës.

Bashkia e Tiranës aktualisht është në vdekje klinike. Zonja Ristani është emëruar aty, por nuk i ka fuqitë e plota të kryetarit të zgjedhur. Shkon aty, paguan rrogat, por nuk bën ato që kemi ne nevojë. Të lësh kryeqytetin peng vetëm sepse kryeministri ka hall mandatin e vet se do të përballet me gjyqësinë nesër, sepse këto ka hall ai”, tha Alimehmeti.

About Redaksia

Check Also

Kurthi Rama-Uluziu dhe Lal Vjedhësi – Kurbani i 11 Majit!

Nga Sali BERISHA Në një operacion përgjimesh si në filma, në qelitë e burgut qeveritar …