Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi qeverisjen e Edi Ramës për vjedhje të shfrenuara me projektet infrastrukturore gjatë mandateve të tij si kryeministër.
Berisha gjatë prezantimit të programit të PD 2025-2029, për transportin dhe infrastrukturën tha se, Aeroporti i Vlorës është aeroporti i gjobës së madhe të shqiptarëve.
“Pra, ka një abuzim masiv. Po të marrim pllakat e guri të shtruara në sheshet e qyteteve, 2.3 miliardë euro, në asnjë lloj kostoje mbi tokë ato nuk mund të shkojnë më shumë se 300 milionë.
Aeroporti i Vlorës është aeroporti i gjobës së madhe të shqiptarëve.
Ndërtohet një aeroport sipas Edi Ramës dhe zëdhënëse të tij, më i madhi në Ballkan.
A mund të imagjinoni se ku i shtyn këta hajnia?
Si mund të ketë Vlora aeroportin më të madh në Ballkan, këtë e dinë vetëm hajdutët e qeverisë.
Ka një ligj tjetër, një rregull tjetër ndërtimi i aeroporteve.
Vlora e do aeroportin dhe ne kemi pasur projektin.
Por natyrisht me marrëzinë, se kjo është si të vjedhësh më shumë, si të gjobisësh qytetarët më shumë.
Qytetarët shqiptarë do paguajnë çdo biletë të munguar mbi 600 mijë pasagjerë.
Po shkoni, bjerini lapsit sa shtretër ka nga Semani nga Ksamil. Sa shtretër janë? Se ku do flenë këta njerëz, nuk ka rëndësi, rëndësi ka që të vjedhim sa më shumë.
Po kështu tuneli.
Nuk ka tunel në botë që të ketë kushtuar 65 mijë euro për banor.
Kaq janë, duke i marrë ata 3-4 mijë në kohë joturizmi.
Dhe pse? Duke i lidhur sytë njërës prej qafave më panoramike të Shqipërisë, që është Qafa e Llogarasë.
Në breg shkohet për turizëm. 95 përqind shkojnë për turizëm. Banorët janë të paktë. Dhe tani u thuhet atyre të paguajnë nga 5 euro”, tha Berisha.