Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë prezantimit të programit për transportin dhe infrastrukturën u shpreh se, Partia Demokratike do të ripërtërijë të gjithë projektin hekurudhor të vendit.
Berishatha se, projekt madhor do të jetë ndërtimi i një linje hekurudhore me Kosovën, që është një nga projektet më të hershme për vendin.
“Koncesionet janë koncesione korruptive fund e krye. Shikoni çfarë ndryshimi të madh.
Të gjitha akset e mëdha rrugore në 2005-2013 u ndërtuan me kompani të mëdha evropiane dhe amerikane. Të gjitha, nga Hani i Hotit në Gjirokastër, kudo.
Kishte nënkontraktorë shqiptarë, por inxhinieringu, projekti ishin ndërkombëtare. Kostot shumë herë më të ulëta.
Cilësia shumë herë më e lartë.
Këto janë përjashtuar tërësisht. Një kompani e huaj nuk mund të marrë pjesë në tendera, përveçse kur do Edi Rama si në rastin e tunelit të Llogarasë që e skonton kompaninë me 130 milionë euro ofertë dhe kontrakton kompaninë me 180 milionë euro ofertë.
Rëndësi shumë të madhe do të konsiderojmë transportin hekurudhor.
Në gjendjen aktuale është mjerane.
Transporti mujor hekurudhor është qesharak. Është 300 deri në 400 pasagjerë sepse është disfunksional.
Kanë tre vjet që punojnë për hekurudhën Tiranë-Durrës, e kanë inauguruar, se këta inaugurojnë shumë herë, po hekurudha mbetet aty ku është.
Jo, ne do ripërtërijmë rrjetin hekurudhor dhe do lidhemi me linjë hekurudhore me Kosovën.
Ideja e një hekurudhe Kosovë-Shqipëri është një ide e hershme e Perandorisë Otomane dhe pas perandorisë, e marrë shumë seriozisht nga austriakët.
Ajo është një hekurudhë aq e leverdishme sa Rruga e Kombit.
Ajo është një hekurudhë e cila e shndërron, ashtu siç ka pozicionin gjeografik, në epiqendrën kryesore të transporteve në drejtim të vendeve të tjera të Ballkanit.
Fatmirësisht në këtë drejtim ka studime dhe veçanërisht pas firmosjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Uashington, ky projekt u rizgjua.
Ajo marrëveshje, që e kam thënë në atë kohë, e them edhe sot, ishte më e mira që është paraqitur ndonjëherë, sepse ajo nuk synonte zgjidhjen e problemit politik, por synonte normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në këtë pjesë të rajonit. Tre ishin përfituesit kryesorë, Serbia, Kosova, Shqipëria.
Shqipëria përfitonte shumë. Një port të thellë dhe hekurudhën.
Marrëveshja e firmosur në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA, u injorua në mënyrë të papërgjegjshme nga të gjitha palët.
Në vend se të merreshin me zbatimin e marrëveshjes, merreshin me Ballkanin e Hapur të Sorosit.
Ne i rikthehemi projektit të hekurudhës. Do jetë përparësi absolute.
Një hekurudhë në segmentin më të shkurtër që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe pastaj me hekurudhat e Serbisë, Hungarisë e me radhë”, tha Berisha.