Kryetari i PD, Sali Berisha, në prezantimin e programit të qeverisjes për vitet 2025-2029 për infrastrukturën dhe transportin, u shpreh se, investimet e bëra në Shqipëri në këtë fushë, nuk kapin as vlerën e 1 miliardë eurove.
Berisha tha se, për këto fusha janë dhënë 12 miliardë euro, por shumica janë vjedhur nga qeveritarët dhe drejtorët.
“Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt dhe falënderim për të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim, për ju drejtuesit e departamentit, panelistët, në të cilën ne paraqesim programin e PD për 4 vitet e ardhshme, program transformues të infrastrukturës së vendit.
E vërteta është se gjatë këtyre 12 viteve, në total janë investuar sipas buxhetit mbi 12 miliardë euro nga Edi Rama dhe qeveritë e tij në infrastrukturë.
Por, në qoftë se ka një gropë të zezë në zhdukjen e këtyre fondeve, janë pikërisht rrugët dhe projektet infrastrukturore.
Po qe se ndalemi për një moment se çfarë është ndërtuar me 12 miliardë euro të shpenzuara, fonde buxheti, ato nuk shkojnë, nuk kapin vlerën reale kurrë të 1 miliardë eurove.
Por çmimet e këtyre veprave dhe objekteve janë dhjetëfishuar.
Rëndom janë gjashtëfishuar, janë 12-fishuar, 13-fishuar në mënyrën më të pakonceptueshme.
Kjo ka bërë që në 12 vite qeverisje, vështrimi i veprave publike të ndërtuara është jashtëzakonisht i pakët, ndërkohë shpenzimet janë kolosale.
Nuk besoj të ketë ndonjë vend tjetër kund në botë që të jenë zhdukur, të jenë gllabëruar fonde publike siç ka ndodhur në Shqipëri me këto 12 miliardë euro investime që nuk duken.
Në qoftë se marrim Rrugën e Arbrit, nga 160 milionë, e parashikuar ën standardin ndërkombëtar dhe kompaninë ndërkombëtare, në një kohë kur 32 kilometra të saj kanë qenë të ndërtuara, ajo ka shkuar në 415 milionë dhe nuk dihet sa do shkojë.
Në qoftë se marrim Unazën e Tiranës, 19 kilometrat e fundit të saj se 8 kilometrat u ndërtuan gjatë qeverisjes së PD me vepra arti se ishin shumë të lidhura, sot ato janë ndarë në 14 lote me 14 kontrata. Janë një diletantizëm. Hyrjet e daljet janë absolutisht defektoze. Janë të pastudiuara. Dhe mjerisht kjo unazë, në vend se të lirojë trafikun, efekti i saj pothuajse nuk ndjehet fare. Dhe që ka vazhduar ndërtimi i saj 15 vite.
Janë një seri rrugësh të tjera që kanë mbetur.
75 milionë dollarë ka qenë e planifikuar rruga Qukës-Qafë Plloçë, gjer tani kanë shkuar 215 milionë dhe ajo nuk dihet kur mbaron. Ajo është rruga e vetme në Europë dhe në botë ku segmentet nuk takojnë njëra-tjetrën jo në një rast, por në dy pozicione”, u shpreh Berisha.