Një përparësi absolute e ka konsideruar lideri i opozitës, Sali Berisha ndërtimin e bajpasit të Elbasanit. Gjatë bashkëbisedimit me demokratët në qyetatin e Elbasanit, Berisha tha se bajpasi do të jetë vepra e parë publike e PD në pushtet.
Sipas Berishës, ky bajpas jo vetëm që do t’u shërbejë qytetarëve të Elbasanit, por do të jetë çlirim edhe për të gjithë zonën e juglindjes së vendit.
“Ne do transformojmë arsimin dhe shëndetësinë.
Nuk ka gjë më të vështirë se t’i transformosh ato.
Ne jemi optimistë sepse e morëm arsimin në atë gjendje që ishte dhe arritëm një rritje vertikale në PISA.
Në vitet 2006-2013, rritja e cilësisë së arsimit në Shqipëri ka qenë vertikale. Kurse në vitet e qeverisjes së tyre, rënia ka qenë vertikale.
Ne i vumë mësuesit në një të tretën e sipërme të rrogave në vend dhe këta e kanë zbritur mësuesin përsëri dhe mëusesi sot është më i keqpaguari në rajon.
Po kështu mjekët, po kështu shëndetësia.
Shqiptarët sot paguajnë 62 përqind të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre.
Ndaj dhe ne duhet t’u shpjegojmë qytetarëve zotimet tona se alfa e programit tonë është lehtësimi i dhimbjeve të tyre.
Është nxjerrja e tyre nga kjo varfëri ekstreme ku është zhytur Shqipëria.
41 përqind e fëmijëve nuk ushqehen siç duhen në Shqipëri. Është rikthyer kequshqyerja e fëmijëve, ne e patëm zhdukur.
Natyrisht programet lokale kanë vlerën e tyre.
Qeveria veprën e parë publike që do fillojë, krahas zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës, do jetë bajpasi i Elbasanit.
Asgjë më urgjente nuk ka se ky bajpas.
Ky bajpas i shërben qytetit, i shërben të gjithë zonës juglindore të vendit. Dhe ti i lë ata të gozhdohen gjysmë ore dhe shkon e ndërton atje ku nuk ka asnjë ngushticë në trafik.
Unë nuk jam për të mos ndërtuar autostradën Elbasan-Qafë Thanë, por përparësi absolute ka bajpasi.
Fut 8-10 milionë për të ndërtuar Formula 1, po, e ndërtojmë atë, por në radhë të parë bajpasi se u kushton shumë qytetarëve.
Ndaj dhe premtimet duhet të jenë konkrete dhe ato premtime që bëjmë ne, i mbajmë.
Ne deklarojmë përparësi absolute këtë bajpas. Kushton, por do bëhet ky.
Në radhë të parë këtu, pastaj do bëjmë investime të tjera me radhë”, tha Berisha.