Berisha: Edi Rama shfrytëzoi detyrën si kryeministër për t’u bërë pronar i një sipërfaqeje të madhe toke, pa asnjë dokument

Gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e programit për pronat, kryetari i PD, Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën, se duke shfrytëzuar detyrën e tij si kryeministër është bërë pronar i një sipërfaqe të madhe toke në zonën e Dhërmiut.

“Por këto vite, kanë qenë vitet e plaçkitjes më të madhe të pronës që nga vitet ’46.

Një lukuni e tërë zyrtarësh, me në krye Edi Ramën, u vërsulën mbi pronat private në të katërta anët e vendit.

Vetë Edi Rama, shfrytëzoi marrjen e detyrës së kryeministrit për t’u bërë pronar i një sipërfaqeje të madhe toke në Himarë, pa asnjë dokument kadastral, pa asnjë dokument konfiskimi nga regjimi komunist, pa asnjë dokument kadastral nga kadastrat e shkuara.

Me dëshmi të rreme, me akte falsifikatore, dokumentet e familjes të të cilit faktojnë se stërgjyshi i tij, Thomai, kishte gjithësej 4 dhi. Kaq i pasur ishte, dhe Spiro Koleka deklaron se nuk keni patur asnjë pronë tjetër. Dhe, kjo nuk ishte vetëm një familje, sepse Spiro ishte me shkollë.

Nushërt, me të cilët i ka marrë tokat, nga varfëria kishin ardhur në Tiranë. Kjo është e vërteta. Janë dokumente.

Dhe tani në një akt të padëgjuar ndonjëherë, drejtori i Arkivës Shtetërore na del deputet i partisë falsifikatore. Kjo është e vërteta.

Po ky njeri, me firmën e tij, i jep të vëllait 38 mijë m2 tokë të pronarëve të Tiranës, te Rrapi i Treshit. I vëllai është drejtori, a menaxheri i klubit Partizani, i jep gjoja skuadrës.

Olta Xhaçka, merr 10 mijë m2 tokë publike, kurse ky, ka rrezik shumë që të jetë një pjesë e kishës. Nga toka që kanë marrë këta, nuk përjashtohet mundësia që një pjesë është e kishës. Me gjithatë, po e hetojmë, po e shohim.

Pra, u vërsulën në mënyrë të pangopur të bëhen pronarë. Ligji i Korporatës së Investimeve është ligji shkatërrimtar i pronës. Është ligji i vitit 1946.

E kam theksuar, ua tregoj prap. Një grup financiar i fuqishëm më kontaktoi kur isha kryeministër, dhe premtoi një investim 15 miliardë euro. Duke punuar me ta, konstatoj se ata kishin këtë projekt. Dhe iu thashë, se kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Që unë, të autorizoj veten me ligj që t’ua marr tokën të tjerëve, harroje se ndodh kjo!

Në qoftë se këta multimiliarderët duan të investojnë paratë e tyre, janë shumë të mirëpritur, le t’i blejnë tokat me pronarët, të mbajnë marrëveshjet me pronarët. Po ajo, nuk mund të ndodhë në një sistem demokratik.

Ikëm ne nga pushteti, ai, me atë ligj, edhe më keq se sa kishin paraqitur ata, e vetojnë në parlament dhe ai ligj e autorizon atë. Fillimisht, e autorizonte nga Velipoja tek Kepi i Stillës. Tani, e autorizon në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kudo që t’i vejë syrin qeveria dhe trafikantët e tij, ai ka autorizimin ta konfiskojë tokën me çmimin që do” u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Veliaj hakmerret nga burgu ndaj Ramës, urdhëri për policinë Bashkiake për njeriun e Ramës

Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj po përplasen në distancë për drejtimin e Bashkisë së Tiranës. …