Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në takimin e prezantimit të programit për pronën, ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës se, ka një vullnet për të mos zgjidhur këtë problem.
Sipas Berishës, gjatë qeverisjes së Ramës, prej vitit 2014 e gjer sot janë trajtuar vetëm 800 dosje, nga 24 mijë dosje që janë aktualisht.
“Partia Demokratike, duke miratuar ligje që nuk i dhanë përgjigjen e drejtë rikthimin e drejtë të tokës te pronarët, ajo bëri hapa gjigante, sa asnjë forcë tjetër politike në Europën ish-komuniste me banesat. Ajo bëri pronarë shqiptarët të banesave ku kishin jetuar të 224 mijë apartamenteve të ndërtuara në 50 vite.
Në një mënyrë, ose një tjetër krijoi fermat e vogla në fshat, por prap ajo hodhi hapa të drejta për kompensimin fizik të pronës dhe filloi ta aplikojë në bashkëpunim me pronarët atë skemë.
Në vitet 2005-2013, nuk u korrigjuan të gjitha ligjet, por shumë nga kufizimet u hoqën. Dhe ajo ç’ka mund të them unë, Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave ktheu faktikisht 106 mijë hektarë tokë, nga të cilat mbi 14 mijë truall, të tjera tokë bujqësore, kullota.
Kjo agjenci, me një punë efikase arriti të rikthejë qindra e qindra objekte, dhe të dëmshpërblejë financiarisht ish-pronarët me 37 milionë euro. Agjencia, përveç këtyre, përzgjodhi 71 mijë hektarë tokë publike për të kompensuar pronarët.
Pra, krijoi një fond vërtet të fuqishëm për kompensimin e pronarëve për tokat që nuk i kishin më.
Nga viti 2014 gjer sot janë kthyer gjithsej, janë zgjidhur gjithsej 800 dosje. Është bërë gjithçka që kthimi dhe kompensimi i pronave të pengohet në shkallën më maksimale. Nga 26 mijë dosje, janë zgjidhur gjithsej 800 dosje.
Jo vetëm kaq. Pra, dëshmia e një vullneti për të mos zgjidhur problemin e pronave”, tha Berisha.