Nga Iva V.GRILLO
Çdo ditë që kalon, kryeministri shqiptar i ngjan gjithnjë e më shumë atyre matrapazëve që u sulen njerëzve rrugës duke i tërhequr nga xhaketa… me qëllim që t’u shesin një mall skarco apo më mirë një mall që nuk ekziston.
“Malli” që do të shesë këtë herë: gënjeshtra se Shqiperia mund të futet në Evropë vetëm nën lidershipin e tij…
Në fakt kryeministri dhe qeverisja e tij janë arsyeja e parë dhe më e rëndësishme se përse procesi i integrimit ka ecur me ritmet e breshkës…
Pavarësisht sforcos për t’u hequr si “i përvëluari” i madh për BE, dhëndri që lutet pas dere, etj, etj… faktet tregojnë se kahu në të cilën Rama e ka çuar Shqipërinë në dekadën e fundit nuk ka si destinacion BE…
Kanabizimi i vendit, korrupsioni qelizor dhe kaosi institucional nën qeverisjen Rama i kanë kushtuar shqiptarëve të paktën disa vite vonesë në integrimin në BE…pas çdo zullumi të qeverisjes, shtohen kushtet që vendos BE-ja.
Po kështu largimi masiv i shqiptarëve për në vendet e BE e kanë futur Shqipërinë në zonat me kod të kuq… efektet shihen në kufizimin e dhënies së vizave dhe shtimin e deportimeve të shqiptarëve drejt vendit të origjinës.
Rama është munduar t’a paraqesë këtë gjë si diskriminim apo “inat” që evropianët na paskan me shqiptarët, por nga eksperienca e shumë nga ne që jetojmë jashtë, është më se e qartë që ashpërsimi në shërbimet konsullore për kombësi të caktuara ka një korrelacion të fortë me mënyrën si perceptohet vendi i origjinës: Shqipëria e dekadës së fundit fatkeqësisht perceptohet si një nyje problematike trafiqesh dhe korrupsioni.
Bipolariteti i kryeministrit që herë hiqet si dhëndër që nuk i japin dorën e vajzës që do, e herë si harbut që përmbys tavolinën pasi u ka pirë kupën tregon jo vetëm mungesēn e seriozitetit në marrëdhëniet me partnerët, por sidomos në ato me shqiptarët.
BE vertetë ka interes gjeopolitik në Ballkan, por kjo nuk e kthen në të vërtetë çdo gënjeshtër që thuhet që në orët e para të sabahut nga “i përdëlluari i madh” i Evropës.
Evropa do të negociojë me përfaqësuesit e popullit shqiptar- por serioziteti dhe integriteti janë vendimtare për kohëzgjatjen e procesit.
Prandaj kjo narrativa se Shqipërinë e fut në BE vetëm një matrapaz si kryeministri aktual nuk është gjë tjetër veçse një 5 me hiç…