Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi rëndësinë e dy librave, “Punët e Mira” dhe “Libri i Zi”, për të kuptuar realitetin e Shqipërisë dhe mundësinë e realizimit të Shqipërisë Madhështore. Ai theksoi se ky projekt, megjithëse mund të duket i largët, është plotësisht i realizueshëm, duke i rikujtuar qytetarëve momentet më madhështore të PD-së, si ndihma për ndërtimin e pluralizmit politik, ngritjen e institucioneve demokratike dhe përfshirjen e Shqipërisë në NATO.
“Më parë theksova se këto dy libra janë thelbësore për të kuptuar programin e PD të Shqipërisë Madhështore, për t’u frymëzuar në këtë program se në të vërtetë është programi më i jashtëzakonshëm që është paraqitur ndonjëherë.
Cilido që i hedh një sy Librit të Punëve të Mira, i cili duhet të jetë libri i çdo demokrati, i çdo mbështetësi të PD, sepse është trashëgimi e çdo demokrati, e çdo mbështetësi të PD, kupton se ky projekti i Shqipërisë Madhështore, aq sa duket i largët, aq qenka i mundshëm, aq qenka real.
Sepse kjo parti në të shkuarën e saj ka disa nga momentet më madhështore në histori.
Ka momente madhështore si themeluese e pluralizmit politik në vendin në monist të planetit.
Ka moment madhështor ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ekonomisë së tregut në vendin më hiperkolektivist të planetit.
Ka moment madhështor nxjerrjen e shqiptarëve nga honet, nga grupi i vendeve me të ardhura më të ulëta në botë, ku Shqipëria renditej me Ugandën dhe Angolën, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Ka momente kur Shqipëria nga vendi i pasigurt, do shndërrohej në vendet më të sigurta të rajonit dhe do anëtarësohej në NATO. Askush nuk mund të mohojë se anëtarësimi në NATO ishte një moment madhështor i historisë kombëtare.
Pra, cilido që lexon librin e këtij departamenti për punët e mira të PD-së, e kupton se projekti i
Shqipërisë Madhështore është një projekt në duart tona.
Është një projekt plotësisht i realizueshëm.
Jo vetëm kaq, por cilido që lexon Librin e Punëve të Zeza, nuk gjen aty vetëm veprat e zeza të kësaj qeverie, të kësaj diktature, por aty nëpër rreshta lexon edhe të gjitha potencialet e mëdha që ekzistojnë, që grabiten, që plaçkiten, që keqpërdoren, por që duhet t’u kthehen qytetarëve shqiptarë në projektet e Shqipërisë Madhështore.
Jo të paktë janë ata që shtrojnë pyetjen: ku do gjenden këto para? Këto premtime si do mbahen? Dhe nuk ka gjë më normale.
Është e vërtetë se ne kurrë nuk kemi premtuar gjëra që nuk i kemi bërë. Por e lëmë mënjanë këtë.
Paratë janë para dhe qytetarët duhet ta dinë se ku do gjenden.
Cilido që lexon Punët e Zeza të këtij regjimi, e sheh se paratë janë, por u vidhen shqiptarëve, u plaçkiten shqiptarëve, nuk u jepen shqiptarëve.
Pra, në pamje të parë duket sikur kemi propozuar një projekt të largët. Në fakt është një projekt 100 përqind i realizueshëm.
Nuk do bëjmë asgjë tjetër fillimisht, si hapi i parë do u kthejmë paratë shqiptarëve.
Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se ato para janë të tyre, nuk dalin nga xhepat tonë, nuk dalin nga kontot e qeveritarëve, jo, janë të gjithë paratë e djersës dhe mundit të tyre që i paguajnë taksa.
Çdo qeveri e përgjegjshme, çdo fillimviti buxhetor, i ndan një pjesë për qytetarët, të tjerat për shërbimet, të tjerat për infrastrukturën.
Kurse kjo qeveri i ka ndarë, 57 miliardë të gjitha grabitje, grabitje, grabitje.
Kjo qeveri e paraqet si katastrofë propozimet tona për rritjen e pensioneve. Si mor qenkan katastrofë? Mendon se do gënjesh ata njerëz të ndershëm që kanë shkrirë jetën e tyre?
Po ai kolegu i tij në Kosovë pse merr 100 milionë euro nga buxheti dhe i kalon në fondin e tyre?
U përmbys Kosova?
Dhe ky mashtron, mashtron, mashtron”, u shpreh Berisha.