Kryetari i PD, Sali Berisha, ka pritur sot një delegacion nga American Conservative Union (ACU), organizata më e madhe konservatore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Delegacioni ishte përfaqësuar nga zonja Macy Cochran dhe zoti Turner Johnson, të cilët, së bashku me Partinë Demokratike dhe Institutin Konservator Shqiptar, do të organizojnë ngjarjen CPAC Balkans në Shqipëri, e cila do të mbahet në fund të prillit.
Gjatë takimit, Berisha shprehet se me delegacionin diskutuan zhvillimet e fundit në SHBA dhe situatën politike në Shqipëri, duke u përqëndruar edhe te organizimi i eventit të ardhshëm.
Postimi i plotë
Takim me delegacionin e Unionit Konservativ Amerikan
Të dashur miq, sot pata kënaqësinë të prisja një delegacion që përfshinte zonjën Macy Cochran dhe zotin Turner Johnson nga American Conservative Union, organizata më e madhe konservatore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët së bashku me Partinë Demokratike dhe Institutin Konservator Shqiptar do të organizojnë në Shqipëri CPAC Balkans, në fund të prillit.
Biseduam për zhvillimet e fundit në SHBA, situatën në Shqipëri dhe për eventin që do të organizojmë së bashku, si dhe për ndihmën e ofruar nga ACU dhe CPAC për fushatën, në nivel ekspertize dhe mediatike, dhe duke vëzhguar nga afër zgjedhjet për çdo shkelje të mundshme.