Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliç, ka reaguar pas daljes së tij nga seanca gjyqësore në SPAK, ku theksoi se pretendimet e palës që ka ngritur akuzat ndaj tij dhe figurave të tjera të opozitës janë të pasakta dhe të motivuara nga përpjekja për të intimiduar dhe mbyllur gojën opozitës. Ai shtoi se këto akuzat nuk janë asgjë tjetër veçse një tentativë për të frikësuar dhe shantazhuar ata që i qëndrojnë kundër korrupsionit dhe aferave të paligjshme.
Këlliçi i bëri thirrje autoriteteve që të merren me kallëzimet penale të depozituara nga Partia Demokratike, duke përmendur rastin konkret të vjedhjes së truallit prej 4120 metrash katrorë në njësinë numër 7, ku ka mbetur pa shkollë një zonë me 70 mijë banorë.
“Patëm mundësi të njiheshim me të gjitha pretendimet e palës që na ka akuzuar, me Carlo Bolinon, të cilat në fakt janë vetëm një intimidim për t’i mbyllur gojën opozitës, për t’i mbyllur gojën Belind Kelliçit, Jamarber Malltezit, Adrianës Kalasë, Sali Berishës apo kujtdo që sot ngre zërin për veprat korruptive dhe për aferat korruptive.
I qëndroj strikt qëndrimeve të mia të kahershme në raport me veprën penale të vjedhjes së truallit prej 4120 metrash katrorë në njësinë numër 7, ku është lënë pa shkollë një zonë me 70 mijë banorë si njësia numër 7, për këtë efekt ne kemi depozituar një kallëzim penal si parti demokratike pranë Prokurorisë së Posaçme që është organi i akuzës.
Në dijeninë tonë dhe bazuar në shkresat zyrtare që jemi informuar është regjistruar vepra penale nga ana e organit të akuzës sot që ne flasim, por ende pa autor.
Ka edhe një kallëzim të dytë në raport me disa fonde të përfituara nga Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, të cilat dukshëm shqetësuan zotin Bollino, dhe meqë është i shqetësuar do ta sqarojmë ne në detaje edhe për atë kallëzim dhe themen këtë, në seancën e radhës që do të jetë në 23 prill ora 09:00, pa diskutim është radhë ime në seancën gjyqësore dhe e zotit Malltezi, përfaqësuesit të tij ligjor dhe zonjës Kalaja si përfaqësuesja ime në këtë rast për të folur me fakte, prova dhe dokumenta për të gjitha deklaratat e mijat të zotit Malltezi, publike, të bëra në raport me këtë vepër penale”, tha Këlliçi.