Nga qelia e burgut në Durrës, kryebashkiaku Erion Veliaj shkarkoi nga detyra kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristanin.
Një muaj pasi kësaj të fundit iu deleguan përkohësisht detyrat e kryetares, kryebashkiaku si duket “ka ndryshuar mendje” dhe përmes një urdhri që mban datën 18 mars, ia ka kaluar postin përkohësisht Sara Goxhajt, e cila njihet dhe si një ndër personat më të afërt të qytetarit të parë të Tiranës.
Por, ky emërim si duket ka shkaktuar “zemërim” te Rama. Sipas asaj që Vox News raporton, kreu i qeverisë “zbarkoi” mbrëmjen e së mërkurës në Bashkinë e Tiranës ku dhe thuhet se ka urdhëruar protokollin të zhbëjë vendimin e Veliajt për emërimin përkohësisht të Sara Goxhajt në pozicionin e kryetares së këtij institucioni.
Sipas burimeve të siguruara nga po e njëjta media mësohet se policia bashkiake është urdhëruar që të mos lejojë hyrjen në Bashkinë e Tiranës të Sara Goxhajt, por edhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushit, pasi dhe për këtë të fundit ka pasur një urdhër shkarkimi.
Mbeten ende të paqarta mënyrat ligjore se si është bërë i mundur anulimi i emërimit të Goxhajt dhe shkarkimi i Dokushit, pasi ashtu sikurse ligji e parashikon kjo është kompetencë e Këshillit Bashkiak, ose e kryetarit në detyrë, Erion Veliajt.
Lidhur me këtë “furtunë” në Bashki dhe “krisje” mes Ramës dhe Veliajt priten më tepër informacione në vijim, me qëllim për të hedhur më tepër dritë mbi atë çfarë është duke ndodhur.