Partia Demokratike ka prezantuar programin e saj për kulturën, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare dhe zhvillimit të politikave që e lidhin artin me edukimin. Në këtë kuadër, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se kultura dhe arti janë elementë kyç për identitetin kombëtar dhe formimin e brezave të rinj.
Ai theksoi se 12 vitet e fundit kanë qenë ndër më të vështirat për institucionet kulturore në Shqipëri, duke i cilësuar këto vite si periudhën më të errët për artin dhe trashëgiminë.
“Së pari, edhe njëherë u falenderoj shumë si panelistët edhe diskutantët që pasuruan shumë këtë program dhe ftoj të gjithë personalitetet e artit dhe të kulturës të paraqesin propozimet e tyre, sugjerimet e tyre për një qëndrim dhe politikë transformuese që do ndërmarrë PD në raport me këtë fushë, e cila lidhet më shumë se me çdo gjë tjetër me identitetin tonë kombëtar, me formimin e brezave, edukimin e tyre, të ardhmen e Shqipërisë Madhështore.
U garantoj se sugjerimet, propozimet tuaja dhe parashtrimet që u bënë në këtë takim nga panelistët do shndërrohen në ligje, vendime dhe do bëhet gjithçka që kësaj gjendje, të cilën Bujar Kapexhiu me dhimbje e cilësoi si gjendja më e keqe në të cilën janë gjetur ndonjëherë arti dhe kultura jonë, sot kur kanë kaluar 12 vite të një sistemi, në të cilin arti dhe kultura pësuan agresionin më të pamëshirë, jo ideologjik, por mafioz, të mafies, betonit dhe qëndrimeve antishqiptare, urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe kulturës së tyre.
Nuk ka pësuar ndonjëherë goditje të tilla shokuese arti dhe kultura jonë si këto 12 vite.
Nuk janë paralizuar kurrë institucionet e artit dhe kulturës sonë si në këto 12 vite.
As në diktaturë. Në diktaturë kishte ndonjë pjesë në teatër që ishte realizimi socialist, por kishte edhe të tjera.
Me një fjalë, ky qëndrim asgjësues ndaj institucioneve ishte një prerje e gjuhës që ato të mos mund të flasin publikisht sa duhet dhe si duhet.
Projekti ynë i Shqipërisë Madhështore është një projekt që frymëzohet para së gjithash nga kultura dhe arti.
E vërteta është se sot në kulturën dhe artin tonë, në trashëgiminë tonë, në të gjitha fushat e tyre, ne kemi një madhështi, kemi kulme madhështore si trashëgimi.
Pastaj kemi edhe hone të tmerrshme që duhet t’i kalojmë.
Me shumë të drejtë shtruat këtu problemin e një lidhje organike midis kulturës dhe arsimit.
Sistemi ynë arsimor është jashtëzakonisht deficitar në edukimin e fëmijëve tanë mbi të gjitha sepse i mungon komponenti artistik.
Nuk ka marrë akoma orientimin që ka sistemi arsimor perëndimor drejt arteve.
U ndodha njëherë në shtëpinë e një miku tim. Djali i tij 6-vjeçar ndiqte një shkollë jopublike dhe e dëgjoj të flasë me nënën e tij për Monenë, Renuarin, Sislin.
E marr dhe e pyes, ku i mësove këto emra. Mësuesja në shkollë, më tha.
Pra, ai ishte në klasë të parë ose të dytë të asaj shkolle. Dhe ai është një sistem shkollash shumë i kuotuar në rangun ndërkombëtar të shkollave.
Por ai sistem shkollash është imitim i suksesshëm i arsimit publik se i tillë është arsimi publik në vendet perëndimore.
Orientimin art-kulturë e kanë një orientim themelor.
Vijmë këtu tek një tregues tjetër për të mos thënë fatal, por pothuajse fatal.
Testi i cilësisë së PISA-s gjeti se fëmijët tanë ishin të fundit në botë për mendimin kreativ sepse artin në edukimin e tyre është i përjashtuar. Nuk ka shpjegim tjetër kjo.
Ndaj dhe një lidhje organike midis kulturës, artit dhe arsimit është vendimtare për edukimin ndryshe, edukimin e duhur të brezave të shkolluar në këtë vend”, u shpreh Berisha.
