Protesta e 22 marsit u thirr për shkak të pakënaqësive lidhur me tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit, të cilat vitet e fundit janë marrë me qira nga biznesmenët lokalë, por këtë vit oferta më e mirë e marrjes me qira të plazheve u vlerësua të ishte ajo e kompanisë arabe, Eagle Hills.
“Plazhi i Madh nuk është një shkretëtirë që dikush të ndërtojë një Dubai. Plazhi i Madh është një mrekulli e natyrës, 20 kilometra bregdet i paprekur, me rërë të ngrohtë dhe shëruese. Krenaria dhe trashëgimia jonë”, tha Dijana Pellinkoviq, presidente e shoqatës “Ada Bojana”.
Sipas saj, banorët e Ulqinit nuk janë kundër progresit, por janë kundër projekteve megalomane që fshijnë identitetin lokal.
“Komuniteti ynë duhet të marrë pjesë në vendimmarrje. Po ngremë zërin kundër centralizmit”, tha përfaqësuesi i qiramarrësve, Albert Kastrati.
Ai vlerësoi se tenderi për qiramarrjen e plazheve ka diskriminuar qiramarrësit vendas dhe ka favorizuar investitorët e huaj.
Protesta në Ulqin u mbajt pavarësisht nga fakti se kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, më 20 mars njoftoi se Eagle Hills ka ndërmend të tërhiqet dhe t’ua kalojë plazhet qiramarrësve lokalë.
Pakënaqësia nisi nga tenderi
Kompania arabe, Eagle Hills, më 11 mars dorëzoi ofertën më të mirë për dhënien me qira për një periudhë katërvjeçare të nëntë nga 19 plazhet në Plazhin e Madh të Ulqinit.
Kjo shkaktoi revoltë te qiramarrësit aktualë të plazheve dhe autoritetet lokale, të cilët deklaruan se plazhet po u jepen investitorëve të huaj “përmes marrëveshjeve të dyshimta”.
Pas kësaj, siç e ka bërë të ditur kryeministri Spajiq, presidenti i kompanisë arabe, Mohamed Alabar, ka hequr dorë nga oferta.
“Personalisht më ka thënë se për të gjitha plazhet ku kanë konkurruar ulqinakët, është i gatshëm të heqë dorë ose t’i japë me nënqira, siç është e mundur edhe ligjërisht”, tha Spajiq.
Qeveria e Malit të Zi njoftoi se, sipas nismës së Spajiqit, investitori ka vendosur që plazhet që i ka fituar përmes tenderit, që më parë ishin marrë me qira nga ndërmarrësit lokalë, t’ua dorëzojë atyre me çmimin që ata kanë ofertuar në tender.
Eagle Hills, që dha ofertën më të lartë për plazhet, është një kompani ndërtimi nga Abu Dabi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo kompani njihet për projekte rajonale, sikurse “Belgrade Waterfront”.
Kompania ka përfaqësinë në Mal të Zi, që është regjistruar pas skadimit të afatit fillestar për dorëzimin e ofertave në tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit.
Afati për dorëzimin e ofertave, për tenderin e shpallur më 19 shkurt, ishte 4 mars, por ai u zgjat për shtatë ditë.
Alabar regjistroi kompaninë e tij më 6 mars në Malin e Zi dhe aplikoi në tender. Afatin e zgjati kompania shtetërore që menaxhon plazhet në Mal të Zi.
Plane për investime në Ulqin
Spajiq u ka njoftuar ulqinakët se përveç tërheqjes nga tenderi për dhënien me qira të plazheve, kompania nga Abu Dabi është e interesuar që të bëjë investime në Plazhin e Madh, i cili është afër 13 kilometra i gjatë dhe ende i pa ndërtuar.
Ai tha se kompania është e interesuar të investojnë 30 miliardë euro në një mega-projekt në Ulqin, që do të përfshinte ndërtimin e një aeroporti të madh, spitalit më modern në Ballkan, një marinë dhe rinovimin e qytetit të vjetër të Ulqinit.
Spajiq muajin e kaluar qëndroi në një vizitë zyrtare në Dubai, ku siç u njoftua më 13 shkurt, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve, i cili parashikon shkëmbimin e përvojave për modernizimin e administratës dhe bashkëpunim ekonomik.
Çfarë i shqetëson politikanët lokalë
Plani për investimet në mega-projektin në Ulqin nuk ka marrë miratimin e opozitës dhe një pjese të liderëve lokalë.