Sipas njoftimit të AKU-së, gjatë kontrolleve të zhvilluara në Portin e Durrësit dhe pas analizave të kryera në ISUV më 21 mars 2025, është konstatuar prania e bakterit në një mostër të mishit të ngrirë. Megjithatë, njoftimi zyrtar lë pasiguri dhe paqartësi të mëdha, pasi nuk jep një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse ky produkt i kontaminuar ka arritur apo jo te konsumatorët.
“Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë” – thuhet në njoftim.
Por a është ky mish ende nëpër dyqane e restorante?
Në deklaratë, AKU thotë se janë marrë masa për bllokimin, por nuk sqaron nëse kjo është bërë pasi produkti kishte hyrë në treg apo është ndaluar që në doganë. Kjo hap dyshime serioze se një pjesë e mishit mund të ketë përfunduar tashmë në dyqane, restorante, supermarketet e vendit dhe mund të jetë konsumuar në familje të shumta shqiptare.
AKU nuk ka dhënë ende asnjë informacion për masat konkrete që janë marrë për konsumatorët, si dhe nuk ka bërë të ditur emrin e kompanisë importuese që ka sjellë mishin e infektuar në vend. Po ashtu, ajo nuk ka bërë të ditur as markën me të cilën ky mish po tregtohet, në mënyrë që qytetarët të marrin masa dhe të mos e blejnë atë. Në këtë mënyrë qytetarët jo vetëm rrezikojnë, por nëse bojkotojnë blerjen e mishit të pulës, rrezikojnë të dëmtojnë edhe kompanitë që nuk e kanë mishin të infektuar
Çfarë rrezikojnë qytetarët
Bakteri Salmonella Typhimurium është një patogjen serioz, i cili mund të shkaktojë infeksione të rënda gastrointestinale, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sistem të dobët imunitar. Konsumimi i këtij mishi mund të çojë në sëmundje të rënda, duke përfshirë temperaturë të lartë, diarre, dhimbje barku dhe në raste ekstreme edhe komplikacione fatale.
Në një situatë kaq të rrezikshme për shëndetin publik, mungesa e qartësisë nga AKU është e papranueshme dhe skandaloze. Ky skandal i sigurisë ushqimore kërkon hetim të menjëhershëm, ndërsa AKU duhet të dalë urgjentisht me një deklaratë të qartë për publikun dhe të sqarojë nëse ky mish është shpërndarë në treg ose jo.
AKU është përfshirë shpesh në skandale dhe po ashtu është akuzuar si një institucion që më shumë sesa të kujdeset për sigurinë ushqimore, interesohet për të mbuluar skandalet që e pëfshijnë atë herë pas here dhe që vënë në rrezik jetën e qytetarëve.