Qeveria uzurpon Bashkinë e Tiranës! Rrëmben pronat e destinuara për shkolla dhe çerdhe, ngre fabrikën e armëve në zemër të Tiranës

Deklaratë për media Prof. Asc. Ilir Alimehmeti, Kryetar i Këshilltarëve Bashkiakë të PD në Bashkinë e Tiranës:

Të nderuar qytetarë të Tiranës e të Shqipërisë!

Në vazhdimësi të kapjes së pushtetit vendor, Kryeministri vendosi me VKM revokimin e së drejtës së pronësisë së Bashkisë Tiranë dhe transferimin e pronësisë të pasurive të saj në Njësinë Administrative nr. 1, zonë e njohur si ‘Ish-uzina e automjeteve/autotraktorëve’.

Kjo pronësi i është kaluar Bashkisë Tiranë me VKM 219 që më 21 mars 2017, tetë vjet më parë për përdorim për realizimin e programeve arsimore dhe për realizimin e veprimtarive social-kulturore e sportive.

Çfarë bëri Bashkia Tiranë këto 8 vite? Asgjë?

Asnjë objekt arsimor! Asnjë veprimtari sociale! Asnjë veprimtari kulturore! Asnjë veprimtari sportiv!

Dhe ndërkohë që banorët kanë nevojë për çerdhe, për kopshte, për shkolla, për fusha sportive, zona nuk u zhvillua kurrë, madje as për banesa sociale.

Tani, me një akt të dënueshëm rrëmbimi të kompetencave vendore, qeveria vendos marrjen e pronës së Bashkisë Tiranë dhe kalimin e saj në funksion të Ministrisë së Mbrojtjes me qëllim ndërtimin e fabrikave të prodhimit të armëve dhe municioneve.

Bazuar mbi ligjin e ‘Vetëqeverisjes Vendore’ të vitit 2015, të miratuar nga vetë qeveria Rama, i vetmi organ që mund të trajtojë pronat në pronësi të Bashkisë Tiranë është Këshilli Bashkiak.

Për këtë arsye Partia Demokratike i kërkon Këshillit Bashkiak të Tiranës të trajtojë menjëherë dhe me prioritet këtë çështjen e këtij rrëmbimi të pronës në Njësinë Administrative nr. 1 dhe të dënojë publikisht kapjen e pushtetit vendor nga Kryeministri dhe Qeveria.

Për qëllime ushtarake, ka mjaftueshëm objekte dhe terrene që mund të përdoren e që ndodhen në zona më të përshtatshme po brenda territorit të Bashkisë Tiranë.

Por pranë njerëzve dhe në zonat e banuara është e nevojshme të ndërtojmë çerdhe, kopshte, shkolla, objekte sociale dhe fusha sportive në mbështetje të tyre dhe familjeve të tyre.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

“O milet, Rama ka siklet”! Mijëra qytetarë dhe diaspora marshojnë nëpër Tiranë

Dita e 63-të e fjalimeve në podiumin e protestës në bulevardin para Kryeministrisë u mbyll …