Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka premtuar për banorët e zonës së Bregut të Lumit se do të bëhen legalizimet, para se të ndërmerren projekte të urbanizimit.
Berisha u shpreh se, pronarët do të kompensohen për çdo metër katrorë tokë, me çmimet e tregut.
“Miq, sot ne kemi zbritur në vitin 1960 si frymë, si popullatë.
Kemi humbur shtesën e 55 viteve. Humbje e tmerrshme.
Atëherë, duhet ta nxisim. 2 mënyra. Të kthejmë shqiptarët nga jashtë. Të bëjmë gjithçka që vëllezërit, motrat, fëmijët tanë, të cilët në të shumtën e rasteve punojnë në bujqësi, punojnë në ndërtim, të kthehen në vendin e tyre, t’i investojnë ato kursime duke i lënë 5 vite pa taksa, pa asnjë taksë.
A funksionon? Po, funksionon. Nga viti 2009 deri në vitin 2012 u kthyen 180 mijë familje shqiptare nga jashtë. Do funksionojë përsëri. Përveç kësaj do nxisim lindjen.
Tani, ju keni ndërtuar këtu shtëpitë tuaja, keni ndërtuar jetën tuaj dhe përsëri ka pasiguri të madhe. Dhe këtë pasiguri e sjell mashtrimi i qeverisë.
Unë kam firmosur një pakt me ju në një zonë tjetër. Unë ju jap fjalën ju, se do t’i qëndroj pikë përpike për çdo shqiptar.
Po të shkoni në Surrel, gjeni atje një vilë 57 metra të gjata themelet, me një kopsht 830 metra, i tëri i ndërtuar në kundërshti me ligjet. I legalizuar 100%, dhe këto janë Sarajet e Edi Ramës.
Kurse të tjerëve u thotë, ato dokumente mbani, por votoni njëherë, pastaj të shoh t’i quaj certifikata pronësie apo jo. Ua them unë ju. Që të gjitha do konsiderohen certifikata pronësie dhe ne këtu as nuk kemi bërë dhe as nuk do bëjmë ndonjëherë urbanizim para legalizimit. Do të bëjmë legalizim para urbanizimit.
Po të kthehemi pak pas në atë periudhë, ne nuk kishim konflikte me qytetarët. Jo. Se ne bënim legalizim para urbanizimit. Shpërblehej, legalizohej, shpërblehej me çmimin e tregut dhe arsyetohej se do vijë rruga, se do ndërtohet shkolla, se do ndërtohet kopshti.
U krijua njëherë një konflikt të shkolla teknologjike. E pyes ministrin: çfarë ka ndodhur atje, pse po protestojnë ata?
Protestojnë thotë se, problemi i dëmshpërblimit.
Problemi i dëmshpërblimit është çmim tregu. E kemi parim atë punë, nuk ka punë legalizimi.
Ne i quajmë të legalizuar dhe pastaj, i paguajmë njëherë, pastaj urbanizimi.
Asnjë sherr, asnjë konflikt. Kurse këta fut buldozerët, iu hedhin gaz foshnjave, etj. etj.
Këto marrin fund!
Do legalizohet çdo shtëpi para çdo akti urbanizimi.
Pronarët, absolutisht do marrin kompensim me çmim tregu.
I garantoj pronarët se marrëdhënia me ta do të jetë një marrëdhënie e ndershme dhe brenda mandatit 2025-2029, do t’i japim përgjigje përfundimtare problemeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga pronësia dhe detyrimeve që rrjedhin nga persekutimi politik i shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD