Lideri i opozitës, Sali Berisha ka ngritur shqetësime mbi mënyrën se si janë shpërndarë fondet për rindërtimin pas tërmetit, duke akuzuar qeverinë për favorizim politik dhe shpërdorim të ndihmave.
Në takimin me banorët në Durrës, ai tha se mijëra euro janë dhënë për militantët socialistë, ndërsa shumë familje të dëmtuara nuk kanë marrë asnjë mbështetje.
“Kanë shpërndarë për mijëra militantë socialistë 15-20 mijë euro, pothuajse pa dëmtime ose me dëmtime shumë më të pakëta se këto. Pra këta kanë luajtur me fatkeqësinë e njerëzve duke ndarë paratë me njëri-tjetrin.
Urdhëro, shihni dëmet, të gjitha këto sipas bashkisë së Durrësit nuk meritojnë asnjë subvencion, asnjë mbështetje.
Pra një qëndrim në të cilin dëshmon shumë qartë se paratë për rindërtimin e tërmetit ndahen nga zyrtarët dhe nuk u jepen atyre që u takojnë.
Merr fund kjo politikë. Me datën 11 maj votoni dhe unë u garantoj se kjo politikë pas 11 majit do përmbysë gjithë këtë situatë dhe do e kthejë atë në një mbështetje të merituar për të gjithë qytetarët që kanë probleme në banesat e tyre për tërmetin.
Për të gjitha pensionet, nuk do ketë pension nën 200 mijë lekë. Nuk do ketë shqiptar që do marrë nën 200 mijë lekë.
Me këtë ne i japim një lehtësim ekonomik, një frymëmarrje njerëzve që të jetojnë diçka më ndryshe.
Ne do u japim një kartë konsumatori quhet ajo me të cilën do marrin TVSH-në mbrapsht, janë rreth 450 euro.
Ta vazhdojmë këtë betejë, të fitojmë dhe ta shndërrojmë këtë program në një program që ndryshon jetën e të gjithë shqiptarëve.
Deputetët e rinj që do keni pas 11 majit do merren çdo ditë me problematikat tuaja.
Sot ka një parlament për të cilin qytetari nuk ekziston, i cili është i shkëputur nga realiteti, jeton në luks.
Unë njëherë u thashë atyre për çantat, ata u tërbuan me mua, por unë u thashë një të vërtetë sepse rroga e politikanit nuk i lejon të zhytet në luks. Por edhe sikur të ishte, një politikan nuk pasionohet pas luksit, duke e ditur se qytetarët e tij jetojnë në kushte krejt të tjera.
Kurse ata e bënë si garë, sikur të ishte parlamenti një sallon mode dhe pastaj të gjitha breshëritë kundër meje se jo na fyeve, unë nuk thashë asnjë fjalë vetëm se këtu po bëhet si paradë mode.
Nuk ekziston ky realitet për ta. Do bëjmë gjithçka që fëmijët e tu të rikthehen këtu. Na duhen fëmijët këtu që të punojnë dhe ta çojnë përpara Shqipërinë”, tha Berisha.