Kultura do ketë ministrinë e saj! Do dyfishohet buxheti dhe do lehtësohen taksat mbi librin

Kryetari i PD, Sali Berisha, në konferencën me gazetarët prezantoi programin për artin dhe kulturën, duke theksuar se një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme do të jetë themelimi i një Ministrie të Posaçme për Kulturën.

Berisha ka garantuar se buxheti për kulturën do të dyfishohet dhe do të ndërmerren masa për lehtësimin e taksave mbi librin, për të mbështetur më shumë krijimin dhe përhapjen e librit shqiptar. Berisha ka theksuar gjithashtu se, pas 12 viteve në harresë, kultura dhe arti do të kenë një trajtim të ri dhe më të merituar, duke garantuar një reformë të thellë në sektorin e kulturës dhe artit.

“Për të gjitha këto, PD zotohet t’i kushtojë një rëndësi parësore artit dhe kulturës si elementë më thelbësorë të identitetit tonë kombëtar.

Ne shqiptarët, një komb plurireligjioz, në rast se të tjerët kanë identitet besimin fetar, ne identitet kombëtar kemi kulturën dhe gjuhën,

Dhe nuk është e rastit që kjo shpërfillje e madhe që i bëhet kulturës dhe artit, të kenë prapamendim, të ketë synim pikërisht identitetin kombëtar.

Ndaj dhe jam këtu për të garantuar artistët dhe të gjithë botën e artit dhe të kulturës, se qeveria e ardhshme do të adaptojë një qëndrim totalisht transformues të kësaj situate.

Së pari, kultura do ketë ministrinë e vet. Kultura është në gjendje e imagjinoni vetë ju. Një ministër antikulture që bën betejë me trashëgiminë, me kulturën e vendit.

Pra, do ketë një ministri kulture me misionin më të rëndësishëm të zhvillimit, konsolidimit të mbrojtjes të kulturës kombëtare.

Drejtuesit e institucioneve kulturore do të zgjidhen nga vetë punonjësit. Do të jenë më të mirët e më të mirëve.

Imagjinoni ju se çfarë batërdie është bërë me drejtimet. Merrni operën dhe baletin sa herë ia ka ndryshuar drejtuesit. Të gjitha në funksion të parave.

Arti dhe kultura kanë nevojë urgjente për një transparencë të plotë për të gjitha fondet. Dhe i garantoj se borde që vendosin transparencë të plotë do funksionojnë menjëherë pas 11 majit.

Meritokracia dhe nxjerrja e këtij sektori jashtë konfliktit të interesit, do jenë bazë e reformës.

Reforma në sistemin e arteve dhe të kulturës duhet të angazhohet në një reformë të thellë të burimeve të financimeve të këtij sektori.

Qeveria do rrisë kontributin, do dyfishojë buxhetin për kulturën dhe artin.

Kjo nuk mjafton.

Qeveria do të mundësojë me ligjet më të mira të sponsorizimit kontributin e sektorit privat në sponsorizimin e veprimtarive private, kulturore dhe artistike.

Qeveria angazhohet për një bashkëpunim kombëtar. Pra, kultura është çështje e identitetit kombëtar.

Qeveria angazhohet të mbështesë artistët dhe njerëzit e kulturës, të letrave, të librit, shqiptarët kudo që ndodhen.

Një transformim rrënjësor i legjislacionit në fushën e artit, kulturës dhe librit.

Ju nuk mund të imagjinoni taksat që janë të vendosura mbi librin, të cilat e largojnë me kilometra librin nga lexuesi për shkak të çmimeve të larta që imponojnë.

Rikthimi i detyrueshëm për të gjitha bibliotekat publike për të pasur librat që publikohen të autorëve shqiptarë, por edhe të autorëve të huaj.

Një përpjekje e madhe do bëhet për promovimin e librit, i cili po syrgjynoset. Nuk ka asnjë mbështetje, përkundrazi ka vetëm barriera të mëdha fiskale dhe të tjera”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Gjykata Kushtetuese gjen shkelje në dosjen “Partizani”

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht padinë e “Studio Pustina” që kishte si objekt shfuqizimin e …