Caktohet gjyqtari që do të vendosë nëse do ta dënojë ose jo Vangjush Dakon

U dënua me 2.8 vite burg nga Shkalla e Parë, zgjidhet trupa në Apel që do shqyrtojë ankimin e Vangjush Dakos

Gjykata e Posaçme e Apelit ka zgjedhur gjyqtarin që do të vendos nëse do e dënojë ose jo ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako por ende nuk ka një datë për gjyqin. Ankimi i tij do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i caktuar me short.

Shkalla e Parë e shpalli fajtor Vangjush Dakon më 25 nëntor të vitit të kaluar, duke e duke e dënuar përfundimisht me 2 vite e 8 muaj për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim në dy episode. Dako u la për disa muaj në arrest në burg, por më pas Shkalla e Parë për shkak të tejkalimit të afateve të hetimit, e çoi në arrest shtëpie, masë në të cilën ndodhet edhe aktualisht.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor që u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, gjyqtarja Elsa Ulliru vendosi deklarimin fajtor të Dakos për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim për faktin penal të ndërtimit të pallatit të ndërtuar nga shoqëria “Fakle” sh.p.k. dhe dënimin e tij me 2 vite e 9 muaj burgim. Për të njëjtën vepër penale u dënua me 2 vjet e 4 muaj burgim për projekt-zbatimin e promenadës bregdetare dhe në bashkim të dënimeve u dha masa 4 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Po ashtu, u caktua dhe dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Fajtorë u deklaruan dhe tre te pandehurit Arsuan Bulku, Fatmir Ejupi dhe Fiqiri Farruki, të akuzuar për falsifikim, të cilët u dënuan përfundimisht me nga 2 vjet burg. Dënimet e tyre u pezulluan dhe u vendosën në shërbim prove për 4 vjet.

Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe vartësit e tij i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.

Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria akuzon Dakon ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

About Redaksia

Check Also

Lëshohet urdhërarresti për ish-Drejtorin e FBI-së, James Comey

Prokurorët federalë konfirmuan se një juri e madhe ka lëshuar një urdhërarrest për ish-Drejtorin e …