Homazhet për Margaritën, i biri: Kishte dëshirë të bënte edhe një film

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit po mbahet homazhet për ndarjen nga jetë të aktores së njohur shqiptare, Margarita Xhepa. I biri i saj, aktori Ndriçim Xhepa, tha se, e ëma e tij e mbylli ashtu siç e donte Zoti.

Ai ka thënë gjithashtu se ajo deri pak kohë para se të ndërronte jetë, e kishte një dëshirë të brendshme për të bërë një film, pavarësisht se nuk kishte mundësi fizike.

“Të jem i sinqertë, çfarë porosish mund të jepte. Kreu jetën e saj në mënyrë normale, pavarësisht se pati disa probleme tani javët e fundit të karakterit shëndetësor, të karakterit të pulmoneve. Edhe lodhjet e vetë viteve bëjnë të vetën, normale. Por ajo kishte një natyrë të vetën të çuditshme që kur binte muhabeti në momente të shkëputura, e thoshte që për në skenë nuk kam mundësi më.

Kurse te filmi e kishte një dëshirë që të bënte diçka tjetër. Por them se e mbylli ashtu siç e deshte Zoti, që roli i fundit që bëri me Spartak Pecanin në Bolero në vilën e Pleqve, sikur përkoi edhe me jetën ashtu siç erdhi edhe finalja e mbylljes së jetës së saj.

Mesa duhet kjo ishte edhe perdja e jetës që mbylli, si perdja e skenës. Por rëndësi ka mënyra sesi po respektohet sot, nga figura të ndryshme, por edhe pafund njerëz që janë publiku i atyre që ajo ka lënë në skenë. Kjo është kënaqësia më e madhe që mund të marrin vetë familjarët, por edhe ajo në shpirtin e saj që sot largohet nga kjo botë”, tha Ndriçim Xhepa.

About Redaksia

Check Also

Vilhelme Vranari Haxhiraj, shkrimtarja shumëdimensionale e persekutuar nga regjimi komunist

Shkkrimtarja e kombit, Vilhelme Vranari Haxhiraj ndonëse në moshë të thyer, ka qënë aktive në …