Nga Enver BYTYÇI
Pasi për 12 vite radhazi ndërtoi shtetin e mafies, Edi Rama ka filluar tani në fushatë zgjedhore të flasë për “shtetin e së drejtës”! E filloi këtë diskurs në fillim të shkurtit të kaluar, kur në Internacionalen Socialiste në Spanjë tha se “shteti i së drejtës është luftë thelbësore për brezin e ardhshëm”! Ai thoshte atë ditë se për shumë vite “Shqipëria ka luftuar stigmën që na ka ndjekur si hije që kur jemi hapur dhe erdhëm në Evropë, që na donte të ishim kriminel, hajdut e çdo gjë”. Në fakt këtë stigmë ai e thelloi kur themeloi perandorinë e drogës në vendin tonë. Por me marifet donte ta transferonte përgjegjësinë e tij tek e kaluara para Rilindjes dhe te evropianët. Më pas u kap fort te kjo temë. Përsëriti sërishmi se “Partia Socialiste do të ndërtojë shtetin e së drejtës” duke e bërë këtë pjesë të programit të tij propagandistik elektoral. Sot tha në konferencën për medie me shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, se do ta kapërcente sfidën e ndërtimit të “shtetit të së drejtës”!
Ndërkohë do të ishte e tepërt të sillnim më shumë argumente sa shohim te burgu 313 dhe qelitë e tjera nëpër Shqipëri për faktin se Rilindja në 12 vite ndërtoi shtetin e mafies, atë që e quajmë narco-shtet. Dhe nëse dikush beson se narco-shteti mund të jetësojë edhe të drejtën për qytetarin, kjo ka të bëjë më tej me studime psiko-analitike. Shteti i mafies kurrë, por kurrë ama, nuk mund të shndërrohet në shtet të së drejtës. Narco-shteti kurrë nuk merr përsipër të ndëshkojë segmentet e tij kriminale në politikë, administratë dhe në grupet mafioze. Ai mund të bëjë sikur. Mund të arrestojë njerëz, edhe në kupolë, por gjithnjë me regjinë e narco-qeverisë, me kushtin e vetëm që shefi i mafies të mos denoncohet e kërcënohet.
Të gjitha arrestimet në Partinë Socialiste për korrupsion ose “intimidim dëshmitarësh”, apo edhe “për shpërdorim detyre”, kanë synuar që të mënjanojnë akuzat për lidhjen e këtyre personazheve të krimit në kupolë me mafien dhe grupet mafioze. Më i spikaturi ishte Saimir Tahiri. I provuar për lidhjet e tij me trafikantët e drogës. Por u dënua për shpërdorim detyre. Edhe pse shëtiste me skafet e mafiozëve, duke qenë ministër i Punëve të Brendshme. Më i fundmi është Erion Veliaj, i cili hetohet për “krimin e mosdeklarimit të pasurisë”!
Ndërkohë që krimi më i madh i tij është grabitja e qindra milionë eurove të taksapaguesve shqiptarë përmes inceneratorëve të paqenë. Pra për bashkëpunim me mafien e plehrave. Njësoj si Ndragheta. Të tjerë ish-ministra të Ramës e deputetë të Rilindjes u kanë shpëtuar akuzave për lidhje me grupet kriminale e mafioze. Të gjithë gjykohen e dënohen si grupe të strukturuara kriminale, por jo në lidhje me kreun e këtyre grupeve, kryeministrin e vendit.
Pikërisht këtë lloj drejtësie të SPAK-ut Edi Rama e quan “shtet të së drejtës”! E quan të tillë gjithashtu akuzën fallco kundër liderit të opozitës, madje edhe zvarritjen në mjedise publike të ish-presidentit Meta. Ndërkaq dy metroshi Beqja mbrohet për akuzat që lidhen me kreun e narco-shtetit. Po ashtu dy metroshi tjetër kryeministër nuk hetohet për akuzat e ish-zëvendësit të tij, Ahmetajt. Dhe i dyti në hierarkinë e PS-së, Veliaj, akuzohet për fustanet e Arjolës. Nuk akuzohet për faktin se në bashkëpunim me kreun e mafies shtetërore u ka vjedhur shqiptarëve miliarda dollarë amerikanë.
Këtë lloj shteti të së drejtës Edi Rama ua shet shqiptarëve si arritje të tij. Po ashtu edhe evropianëve, përfshirë dhe Kaja Kallas. Por propaganda për “shtetin e së drejtës” pas 12 vitesh anti-shtet ose shtet mafioz, është një premtim, të cilin nuk e beson askush!