Nga Balil GJINI
Ka gjasa që Ramës, si basketbollist, Shqipëria i duket si një kosh. Një kosh, një vrimë e vogël. Në të nuk hidhet një top llastiku, por plehra e hedhurina. Ngaqë koshin s’e bën dot vetë, gati qan nga admirimi kur e bëjnë të tjerët (Meloni emigrantë, BE mbetje radioaktive, Amerika muhaxhedinë). Duke qenë dështak, s’ka si të mos i urrejë shokët e ekipit. Ai i ka gëlltitur gjithë dashuri në barkun e vet dhe pastaj i ka vjellë në breg. Siç bëjnë peshkaqenët me krustacet dhe kandilit e detit. Ata përpëliten aty, në rërë, mes jargëve të admirimit, joshjes, magjisë. Dhe ai gati sa s’ulërin në delir: viktimat e mia të dashura, mjeri unë për ju!
Ramës si basketbollist nuk i ka mbetur asgjë, përveçse shtatit të gjatë. Dhe kur ky shtat s’ka përmbajtje, kthehet në harvallinë. Por dështaku s’e pranon. Këmbëngul tek ideja idiote. Kështu Rama e mbush Tiranën me grataçiela. Ata janë shëmbëlltyra e tij, jo prej mishi, por prej guri. Kështu, mos u habitni nëse ndonjë natë, ashtu si te vepra e Molierit, të shihni ndonjë nga këta grataçielë të lëvizë vëndit, të bëjë hapa, dhe të shurrojë gjithë kënaqësi buzë Lanës. Është ëndrra e fshehtë e gjithë tiranëve: ta dhunojnë e poshtërojnë gjënë që kanë dashur…