Kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, i ndaluar dhe i shkarkuar, dëshmoi sot në hapjen e gjyqit të tij për kërcënimin e dyshuar të një prokurori publik, një nga një seri procedurash ligjore kundër tij që mund të rezultojë me burgim dhe ndalim nga mbajtja e posteve publike.
“Gjyqi më pas u shty deri më 16 qershor”, tha Kemal Polat, avokat i rivalit kryesor politik të presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Bëhet e ditur se prokurorët po kërkojnë deri në shtatë vjet e katër muaj burg për Imamoglun, së bashku me ndalimin e aktivitetit politik.
“Unë jam këtu sepse fitova zgjedhjet në Stamboll tre herë”, citoi Cumhuriyet të ketë thënë Imamoglu në gjykatë.
Seanca u zhvendos së fundmi nga qendra e Stambollit në një burg të sigurisë së lartë jashtë qytetit, me avokatët e të pandehurit që argumentuan se kjo shkel të drejtën për një gjykim publik.
Imamoglu do të mbrohet gjithashtu më vonë kundër akuzave të veçanta në lidhje me administratën e tij të rrethit Beylikduzu të Stambollit në vitin 2015, shkruajnë mediat e huaja.
Avokatët e tij thanë se ai nuk pritet të marrë pjesë personalisht në seancë.
Ndryshe, ndaj politikanit 53-vjeçar të opozitës po zhvillohen pesë procese të veçanta dhe tre hetime të tjera.
Raportohet se gjyqet e sotme nuk kanë lidhje me arrestimin e tij më 19 mars me akuzat për korrupsion dhe mbështetje për terrorizëm që shkaktoi protesta masive dhe një nga krizat më serioze politike të Turqisë në më shumë se një dekadë.
Imamoglu do të jetë gjithashtu dëshmitar në një gjyq të tretë sot, kundër Partisë së tij Popullore Republikane (CHP).
Ai konsiderohet si rivali më i fortë i Erdoganit dhe mbështetësit e tij besojnë se prokuroria është pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për të bllokuar kandidaturën e tij në zgjedhje.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi janë planifikuar për në vitin 2028.