Lideri i opozitës, Sali Berisha ka premtuar mbështetje të plotë për personat me aftësi të kufizuara dhe pensionistët, duke deklaruar se çështjet që lidhen me mjetet e nevojshme për jetesë nuk do të jenë më të diskutuara, por do të trajtohen si prioritete.
Berisha theksoi se, lista e ilaçeve për këta qytetarë do të jetë identike me atë të Italisë, duke siguruar që ilaçet që shiten në Shqipëri të jenë të miratuara nga autoritetet europiane.
“Lista e ilaçeve. Unë e kam premtuar zyrtarisht dhe solemnisht, do jetë identike me listën e ilaçeve të Italisë.
Do ta marrim, ta përkthejmë fjalë për fjalë dhe në Shqipëri nuk do shitet kurrë ilaç që nuk shitet në dy vende të BE, pra ilaç që nuk është miratuar nga enti evropian i cilësisë dhe kontrollit të ilaçeve.
Ne nuk jemi të pasur si Italia, por në disa gjëra do të barazohemi. Do barazohemi në qëndrimin ndaj të sëmurëve, në qëndrimin ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Por edhe për qytetarët e tjerë, nuk mund të marrin ata ilaçet pa efekt të Tom Doshit dhe Vilma Nushit.
Shikoni ju tani, çfarë bën ajo? Ka përjashtuar pensionistët nga check-upi.
Ne do ua bëjmë pensionistëve falas. Analizat e përgjithshme dy herë në vit, çdo pensionist që të dëshirojë, do ketë mundësi të kontrollojë shëndetin e tij.
Nuk do mund të diskutohet më çështja e karrocave, çështja e mjeteve të tjera që u duhen ju.
Sot është një situatë absurde. Unë njoh një mik dhe ai marr nga jashtë disa mjete për jetën e përditshme, ka kryer një operacion. Atij i marrin në doganë 140 përqind të çmimit me të cilin i blen në Francë këto mjete. Pra, në qoftë se i blen në Francë 100 euro, paguan në doganën e Shqipërisë 140 euro.
Dhe çfarë janë ato? Ato janë mjetet më të domosdoshme për një njeri që ka bërë një operacion të caktuar. Merr fund ky absurditet!”, tha Berisha.