Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, socialistët janë të çmendur pas luksit, duke mos kursyer as fondet e invalidëve, të cilët sipas tij, vidhen.
Gjatë bashkëbisedimit me personat me aftësi të veçanta, duke prezantuar edhe programin e PD për ta, Berisha tha se Rama së bashku me kabinetin e tij ministror, pranon dhurata super të shtrenjta për të bërë favore, për të përdorur pushtetin, për të dhënë leje ndërtimi dhe licenca.
Ai theksoi se, 11 maji do të jetë një ditë vendimtare dhe përcaktuese për fatin e një vendi që po boshatiset përditë e më shumë, ndërsa shtoi se personat me aftësi të veçanta do të jenë përparësia e parë në paketën e dhembshurisë.
“Këta janë lëshuar si lukuni ku e ku t’i marrin qytetarëve dhe për vete vetëm vjedhin. Për vete janë çmendur pas luksit.
Shihni, qenia zyrtar kërkon të respektosh një kod të caktuar dhe ky kod është përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Qenia zyrtar nuk pranon të jesh i çmendur pas luksit. Jo, absolutisht, ua them unë ju.
Kudo, shihni ju ministre, ministra, ka një kod. Po ato bëjnë garë me rrobat më të kushtueshme, sikur janë princesha dhe i kanë private ato para. Me aksesorët më të kushtueshëm sepse del se kryeministri i tyre pranon orë 500 mijë euro dhuratë.
Atëherë thotë se këta hanë dardha.
Po si hanë dardha këta kur ti pranon orën me diamante 500 mijë euro. Edhe ato thonë, edhe ne po marrim çantat 30 mijë euro apo 40 mijë euro.
Unë po ndalem këtu se luksi për zyrtarët është i papranueshëm.
Sepse po e lëshoi veten pas luksit, e lëshon veten pas dore. Vjedh, vjedh, pranon dhurata super të shtrenjta për të bërë favore, për të përdorur pushtetin dhe për të dhënë leje ndërtimi, për të dhënë licenca.
Kështu që në këtë mes, 11 maji është një ditë përcaktuese, është një ditë vendimtare.
Ndaj dhe u ftoj të bëni çfarë keni në dorë me të njohurit dhe të afërmit tuaj, brenda dhe jashtë vendit, që të votojmë për t’u ndarë me këtë të keqe të madhe.
E them me bindjen më të madhe se kjo është një e keqe e madhe. Kjo e zbraz Shqipërinë. Kjo po i braktis qytetarët.
Që në momentin që ti kryeministër i lejon vetes që nga 8 miliardë euro të lësh 16 milionë për 760 mijë vetë. Po ja pra pse në Mal të Zi pensioni ka shkuar 450 euro nga 138 euro në vitin 2013. Ja pse është rritur trefish edhe në Maqedoni, edhe në Serbi. Ja pse është qartësisht më i lartë edhe në Kosovë.
Sepse nuk ka kryeministër që bën këtë që bën ky. E mendon se paratë i duhen kthyer qytetarëve në rroga, pensione, shërbime.
Dhe unë u siguroj që do plotësojmë çdo kërkesë legjitime.
Ligji do e amendojmë së bashku me ju.
Ai që ka vënë edhe atë ‘edhe invalidët’, ai ka dëshmuar se është një hajdut se përdor ligjet për të vjedhur edhe fondet tuaja, në vend që ato të ishin vetëm për invalidët. Se ky është përcaktimi kudo.
Po këta gjejnë edhe këtë mënyrë, Edi Rama gjen edhe këtë mënyrë.
U falënderoj dhe u ftoj që programin, çfarëdo kërkesa, probleme që u shqetësojnë dhe ju kërkoni t’i adresoni, t’i paraqisni te departamenti, që e falënderoj për punën që ka bërë dhe bën, dhe u siguroj se ato 100 ditët e para do marrin përgjigje. Ju do jeni përparësia më e parë në paketën e dhembshurisë”, u shpreh Berisha.