Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, ka ngritur akuza të rënda për ndërhyrje politike dhe abuzime me sistemin e drejtësisë në aferën e tokave në Surrel. E ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, Kalaja tha se, familja e kryeministrit Rama është përfshirë në një skemë të qartë falsifikimi pronash, duke përfituar në mënyrë të paligjshme truall shtetëror. Ajo sqaroi se kallëzimi penal është depozituar në SPAK që në shtator të vitit 2024, me mbi 50 prova të dorëzuara.
Në qendër të këtij skandali qëndron një vendim i dhënë nga gjyqtarja Arbena Ahmeti, e cila sipas Kalasë ka vepruar nën trysninë e ndërhyrjes së Ëngjëll Agaçit. Denoncimi merr përmasa edhe më të rënda kur zbulohet se bashkëshorti i saj, Arenc Çela, është prokurori që ka shqyrtuar dhe mbyllur çështjen, duke mos hetuar provat. “Ky është një konflikt i pastër interesi”, deklaroi Kalaja, duke akuzuar institucionet e drejtësisë se po veprojnë në shërbim të pushtetit.
Kalaja tha se pronës publike i është ndryshuar statusi në mënyrë të paligjshme dhe se falsifikimi ka nisur që në momentin kur një shtetas i zonës ka pretenduar se i mungonin aktet e pronësisë. “Nga 8 mijë metra katrorë, prona është dyfishuar në 16 mijë,” – tha ajo. Sipas saj, prefekti i kohës dhe administrata e zonës e kishin konfirmuar abuzimin që në vitet 2011–2012.
Por ajo që e rëndon më tej situatën është mënyra si sistemi gjyqësor ka trajtuar këtë rast. Kalaja denoncoi se Gjykata e Apelit, megjithëse e kishte të qartë shkeljen, e ka kthyer çështjen në Shkallë të Parë me një trup tjetër gjyqësor, duke shmangur vendimin përfundimtar. Sipas saj, kjo është bërë pas ndërhyrjeve të forta nga familja kryeministrore.
Ajo tha gjithashtu se drejtori i atëhershëm i Kadastrës, Artan Lame, ka kërkuar pushimin e gjykimit, edhe pse provat ishin të pakundërshtueshme. Kalaja akuzoi edhe drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, për injorim të ligjit, duke e transferuar çështjen në Prokurorinë e Tiranës, ndonëse të kallëzuarit janë zyrtarë të lartë.
Sipas saj, tentativa për ta ndarë përgjegjësinë mes Linda Ramës dhe Edi Ramës është absurde, pasi me regjimin martesor, pasuria është e përbashkët dhe e deklaruar në ILDKPI. Ajo theksoi se vetëm SPAK ka kompetencë për të hetuar këtë dosje dhe jo prokurori të zakonshëm.
Rasti i Arbena Ahmetit dhe Arenc Çelës ngre pikëpyetje të mëdha për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe integritetin e institucioneve të hetimit në Shqipëri. Kalaja e cilësoi këtë çështje si një nga më flagrantet e këtyre 12 viteve të qeverisjes së majtë. “Të gjitha institucionet janë vënë në dispozicion të familjes Rama për të grabitur prona publike,” u shpreh ajo.
Kalaja: Në shtator të 2024 unë depozitova kallëzimin penal, për grabitjen e kësaj prone, për të cilën unë kam dokumenta dhe i kam vënë në dispozicion, që e vërtetojnë katërcipërisht që kjo pronë, ka pasur emërtimin “shtet, trualli”, aty ku është shtëpia e Ramës.
Sot kjo sipërfaqe është 8900 metër katror dhe e ka blerë nga të tretët, këtu ka filluar falsifikimi.
Ky është kallëzimi penal për të cilin po të shikosh edhe nga emrat e personave të kallëzuar, pra edhe subjektet edhe objekti i veprës penale, ligji thotë është kompetencë e SPAK. Pra nuk mund ta hetojë Edi Ramën prokuroria e Tiranës, edhe Ëngjëll Agaçi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm që ka kryer këto vepra penale, quhet zyrtar i lartë dhe është vetëm kompetencë e SPAK.
Ne na vjen një përgjigje nga SPAK ku thuhet se dosja është kaluar për kompetencë për prokurorin e Tiranës, pra është injoruar ligji.
Bën dhe një gafë tjetër Dumani në këtë shkresë, thotë “mund të ketë falsifikime”, pra ja faturon Linda Ramës. Dhe meqenëse Linda Rama nuk është zyrtare e lartë, duhet të shkojë për hetim në prokurorinë e Tiranës.
Ndërkohë që gjysma e pasurisë me regjimin martesor është e Edi Ramës, dhe gjysma e pasurisë është deklaruar në ILDKPI nga Rama.
Po të shikoni datën në dokumentin numër 3, nga 11 shtatori deri më 27 shkurt 2025, e bën çështjen me mosfillim. Çdo avokat që më dëgjon tani, kam apo s’kam të drejtë unë në kallëzim, e kupton shumë mirë që pas 6 muajve nuk merret më vendimi i mosfillimit. Pra, kanë dashur ta heqin dosjen nga dora.
Ky prokuror nuk analizon asnjë vepër penale, por mbi të gjitha, gjëja më e rëndë është se prokurori Arenc Çela, duke mos e analizuar fare dosjen, fare provat, dhe duke qenë drejtues i Prokurorisë së Tiranës — po të shikojmë dokumentin numër 4, që është një skandal më vete — është bashkëshorti i gjyqtares. Pra, nuk kanë hetuar gjënë më elementare.
Arenc Çela është bashkëshorti i Arbena Ahmetit. Unë këtë vendim e kam çuar në SPAK. Arbena Ahmeti është gjyqtarja që, në këndvështrimin tonë, ka dhënë një vendim antiligjor nën trysninë e ndërhyrjes së Ëngjëll Agaçit. Sipas ligjit këtë çështje ose duhet ta rikthente në SPAK ose ta çonte në Prokurorinë e Durrësit.