Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në selinë e Partisë Socialiste për zonën Kavajë-Rrogozhinë. Bëhet e ditur se, rreth orës 23:00 ka plasur dhuna fizike mes eksponentëve të partisë.
Burime për Publik.al konfirmojnë se koordinatori i zonës dhe njëkohësisht kandidati i PS, Eldin Cepeli, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Vis Gjeçi, kanë ofenduar, kërcënuar dhe goditur me grusht kryetarin aktual të PS për Kavajën, Shpend Barameta.
Ngjarja tronditëse ka ndodhur në prani të disa anëtarëve të strukturës lokale, të cilët mbetën të shokuar nga sjellja agresive e dy të deleguarve nga Tirana. Sipas dëshmitarëve, përplasja ka nisur pas kundërshtimeve të Barametës për mënyrën sesi po imponohet kandidimi i Çepeli në zonë, pa marrë mendimin e bazës.
Pas dhunës, Shpend Barameta ka bërë kallëzim penal në Policinë e Kavajës, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga PS dhe vetë Spiropali për këtë skandal, që vë në pikëpyetje stabilitetin dhe etikën në radhët e partisë.
A do të hesht Edi Rama për këtë akt dhune në shtëpinë e vet politike? Apo do të mbrojë njerëzit e Spiropalit, që sot ngritën dorën ndaj një kryetari partie me votë në bazë?/ Publik.al