Nëse drejtësia është duke bërë punën e saj, politika dhe administrate shtetërore nuk mund të fshihen më as pas fasadës, as pas kompetencave as pas përgjegjësisë individuale.
Arrestimi i Roven Zekës, shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, njeriut të besuar të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nuk është një rast i izoluar, por simptomë e një sëmundje të rëndë institucional eqë ka kapur policinë.
SPAK konfirmoi ndalimin e Zekës dhe dy vartësve të tij “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, një vepër që dënohet nga 2 deri në 8 vjet burg.
Sipas një hetimi të zhvilluar nga BKH-, ata rezulton se kanë kërkuar dhe marrë 2 mijë euro për të shmangur arrestimin e një drejtuesje automjeti të përfshirë në aksident me 5 të plagosur. Ajo që pason pas aksidentit dhe premtimit për të mos e arrestuar gruan shkaktare të aksidentit, është një zinxhir i zakonshëm i korrupsionit – pagesa “nën dorë”, lidhje familjare, ndërhyrje, dhe zyrtarë që mbajnë detyra kyçe jo për meritë, por për besnikëri.
Ilir Proda, përgjegjësi morale dhe funksionale
Roven Zeka nuk është një emër i rastësishëm në sistemin e policisë. Ai u katapultua në pozita kyçe pa përvojën dhe pa integritetin e nevojshëm, por me një mbështetje të fortë: Ilir Prodën. Siç kanë raportuar disa media, emërimi i Zekës në një nga komisariatet më delikate të vendit, ndodhi me insistimin personal të Prodës, pavarësisht kritikave të brendshme në polici dhe raporteve të medias, përfshirë Zoom.al.
A është normale që drejtori i përgjithshëm të mos mbajë përgjegjësi kur njeriu i zgjedhur prej tij për një detyrë kritike del i përfshirë në skandale të tilla? A është e ndershme që Proda të qëndrojë në detyrë sikur ky të ishte thjesht një aksident rrugor, dhe jo një provë ulëritëse për mënyrën se si udhëhiqet sot Policia e Shtetit?
Në një sistem normal dhe me kulturë përgjegjësie, arrestimi i një zyrtari të këtij niveli do të çonte menjëherë në dorëheqjen e njeriut që e vendosi në këtë detyë, jo si një akt fajësimi penal, por si një akt minimal moral dhe institucional.
Mirëpo në Shqipëri, ku hierarkia është më shumë një rrjet besnikërish sesa një strukturë llogaridhënieje, kjo është e rrallë.
Zoom.al pyet sot publikisht ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe kryeministrin Edi Rama:
•A do të qëndrojë ende në detyrë Ilir Proda, sikur të mos kishte ndodhur asgjë?
•A ka Ervin Hoxha guximin t’i dërgojë kryeministrit Rama kërkesën për shkarkimin e tij?
•Dhe a e ka kryeministri Rama guximin të largojë një njeri që ka humbur kredibilitetin e drejtimit të policisë, pavarësisht se kush ka ndikuar për ta vënë atë në këtë detyrë?
•A duhet të vazhdojë të pranojë politika shqiptare se “kapja” e sistemit fillon pikërisht nga këto vendime emërimi pa kriter, që përfundojnë me pranga në duart e atyre që duhej të zbatonin ligjin?
Arrestimi i Roven Zekës mund të duket një normalitet në një polici që, sipas raportimeve të shumta, është e kriminalizuar. Në një vend me drejtues politikë të përgjegjshëm, kjo do të duhej të ishte një pikë kthese, që do të duhet të niste me largimin e Ilir Prodës. Kjo do të ishte pikënisja për ndërtimin e një policie më të besueshme dhe të distancuar nga kriminelët e të korruptuarit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë gjithçka tjetër, nga reformat te deklaratat e luftës kundër korrupsionit, nuk janë gjë tjetër veçse retorikë boshe..Zoom.al
Gazeta RD