Kokaveshi: Më 11 maj Himara i thotë jo diktaturës dhe vjedhjes së pronave!

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Himarës, Thëllëza Kokaveshi gjatë fjalës së saj në takimin me kreun e PD, Berisha, theksoi nevojën për një ndryshim të thellë në sistemin politik dhe shoqëror të vendit.

Kokaveshi ftoi qytetarët e Himarës të fokusohen në Programin e Partisë Demokratike, duke u angazhuar për ndryshimin dhe përmbysjen e këtij sistemi që ka lënë pas tij një shoqëri të shkatërruar.

“Të nderuar qytetarë, të nderuar kandidatë për deputetë, i nderuar drejtues i qarkut, të nderuar aleatë për Shqipërinë Madhështore, i nderuar Prof. Dr. Sali Berisha, ne jemi sot këtu në vazhdim të këtij misioni demokratik, i cili nuk është thjesht një çështje politike, por një mision jetik dhe kombëtar. Jemi sot së bashku për të shënuar edhe njëherë përmbysjen e këtij sistemi që ka braktisur dhe konsumuar deri në palcë.

Motivimi ynë lind nga shpresa që ka lindur në zemrat dhe sytë e qytetarëve tanë. Thelbi i kësaj lufte qëndron në ndërgjegjësimin tuaj për të vlerësuar dinjitetin, familjen dhe pronën tuaj. Të jetosh sot në Shqipëri është një luks oligarkësh, ku nuk e gjen veten as pensionisti, as punëtori i thjeshtë, as mësuesi, as të rinjtë, as asnjë lloj qytetari. Kjo është pamja më e padenjë që mund t’i bëhet këtij populli, duke e fyer, dhunuar, censuruar dhe shpronësuar.

Ajo që shohim shqiptarët para syve tanë sot përbën kontrastin më të fuqishëm dhe më të qartë. Kemi para vetes zgjedhjet: çfarë do të zgjedhim, moral apo antimoral, dinjitet apo përçmim, familje e shëndoshë apo gjymtimin e familjes, pronën e gjyshërve apo oligarkët dhe pseudoartistët, pasuritë natyrore apo luftën kundër natyrës. Mjerisht, jemi përballë një klase politike që jo vetëm nuk e ka në konsideratë zhvillimin e qytetarit, por çdo ditë e fyen në sheshet e estradës tragjikomike.

Të dashur qytetarë, duhet t’i kushtoni vëmendje Programit të Partisë Demokratike, ju bëj thirrje ta vendosni fokusin tek ky program. Aty do ta gjejë veten kushdo. Më 11 maj, Himara do t’i thotë jo diktaturës dhe vjedhjes së pronave. Himara do të shkruajë me gurët e qëndresës fitoren e mohuar nga përçmimi dhe dhuna e zgjedhjeve të 2023. Himara di të shkruajë histori përmes qëndresës dhe demokracisë”, tha Kokaveshi.

About Redaksia

Check Also

Plarent Ndreca në SPAK: Nuk më thirrën pse takova Veliajn, por për një çështje në hetim

Deputeti i PS, Plarent Ndreca është thirrur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), …