Ura 35 milionë euro e Kukësit u ndërtua me defekte, padia në gjykatë…

Ura e Kukësit 330 metra e gjatë kushtoi 35 milion euro.

Kompania Salillari ka paditur në gjykatë nënkontraktorin italian për ndërtimin e Urës së Madhe të Kukësit duke i kërkuar 8.2 milionë euro dëmshpërblim. Sipas padisë, kompania italiane Maeg ka bërë punë me defekte, të cilat është detyruar që t’i riparojë më pas Salillari.

Kompania shqiptare thotë se riparimi i defekteve të shkaktuara nga Maeg i ka kushtuar asaj 3.5 milionë euro. Mbi këto kosto, Salillari ka llogaritur dhe penalitete, por edhe zëra të tjerë garancie duke e çuar pretendimin total ndaj shoqërisë italiane në rreth 8.2 milionë euro.

Fillimisht padia është bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Por më vonë çështja ka shkuar në gjykatën e lartë për kompetencë.

Gjykata e Lartë ka vendosur që çështja të gjykohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

Ura e madhe mbi Drin, pjesë e rrugës së Kombit u hap në korrik të vitit të kaluar. Por pak javë pas hapjes ura u mbyll sërish pa asnjë shpjegim. Më vonë, në media qarkulluan lajme se ura kishte defekt dhe nuk garantonte sigurinë e kalimit.

Vepra qëndroi e mbyllur për disa muaj, gjatë të cilëve me sa duket janë bërë punime riparimi. Këto kosto tashmë janë shndërruar në objekt përplasjesh mes Salillarit dhe nënkontraktorit italian Maeg.

About Krye Redaktor

Check Also

Evropa e siguruar, Shqipëria në ndjekje: Trendet e reja të udhëtimeve të sigurta

Komisioni Evropian i Udhëtimeve, organizatë jofitimprurëse ndërkombëtare, në një sondazh zbuloi se rreth 60% e …