Lamtumira e fundit e Atit të Shenjtë/ Trump në Vatikan: Nderoj Papa Françeskun dhe komunitetin katolik

Në një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij viti, liderët më të fuqishëm të botës janë mbledhur sot në Romë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut. Pas tre ditëve homazhe të mbajtura nga mbi 200 mijë besimtarë, mesha e fundit nis në orën 10:00 në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe pritet të zgjasë rreth një orë e gjysmë.

Pas meshës, trupi i Papës do të transportohet për në bazilikën Santa Maria Maggiore, ku do të zhvillohet varrimi. Ceremonia po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe me një prani të jashtëzakonshme protokolari, që reflekton rolin e rëndësishëm të Papa Françeskut në skenën ndërkombëtare.

Ndër liderët që mbërritën në Romë ishte presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i cili ka deklaruar se ndodhet në Vatikan si një shenjë falënderimi ndaj komunitetit katolik që, sipas tij, ka kontribuar në fitoren e tij zgjedhore. Në bordin e Air One, Trump u shpreh përpara gazetarëve se synon të realizojë disa takime me liderë europianë, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Trump është mikpritur në rezidencën e ambasadorit amerikan në Romë dhe rikthimi i tij drejt SHBA është planifikuar për orën 13:30 të ditës së sotme. Ndërkohë, në ceremoninë e varrimit janë të pranishëm edhe figura të tjera të rëndësishme si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari në largim Olaf Scholz.

Nga Mbretëria e Bashkuar marrin pjesë kryeministri Keir Starmer dhe Princi William, ndërsa nga rajoni ynë janë të pranishëm presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Atmosfera në Romë është e mbushur me solemnitet dhe përkushtim, ndërsa bota i jep lamtumirën një prej figurave më të dashura të Kishës Katolike./ Alba Kepi

About Redaksia

Check Also

Macron njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka njoftuar sot se ka vendosur që Franca të njohë …