Prokuroria e Posaçme po e heton mes të tjerave ish-kreun e ARRSH-së Evis Berberin, edhe për tenderin e ndërtimit të Lotit të 7 në Unazën e Madhe të Tiranës. Veç kompanive të lidhura me miqtë e tij që fitonin tendera për të cilat është në burg, apo për tenderin e mbikëqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë, SPAK po heton edhe veprimet për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës apo procedura prokurimesh të tjera, ku kompania “Net Group sh.p.k” ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese. Lidhur me rastin specifik të Unazës së Madhe, SPAK po heton kontratën që operatori ekonomik “Net Group” sh.p.k ka lidhur me Agjencinë për Efiçencën e Energjisë, për sa i përket projektit “Goal nZebs” në korrik të 2020 me vlerë 29,800 Euro. Rreth dy muaj më parë, SPAK shtyu me 3 muaj hetimet për Evis Berberin, Valter Begajn dhe Ervis Lamin.
Çështjet e mësipërme, SPAK i paraqiti si prova për vijimin e masave të sigurisë duke argumentuar se i duhet më shumë kohë për hetime pasi çështja është komplekse. Burime të besueshme konfirmuan se janë siguruar mbi 50 prova materiale, por deri në këtë fazë, organi hetues kishte konkluduar për më pak se gjysmën e tyre. Gjithashtu është bërë kryerja e akteve të ekspertimit grafik të dokumenteve të dyshuar të falsifikuara, të përdorura në procedurat e prokurimit si në rastin e tenderit për Unazën e Madhe ashtu edhe për tunelin e Llogarasë.
SPAK njoftoi palët se po heton në lidhje me transaksionet fiktive dhe vlerat monetare të përfituara nga shoqëria “DAAM” sh.p.k, duke verifikuar kontratat dhe faturat e lëshuara në emër të kësaj shoqërie. Organi i akuzës thotë se po bën hetimin e të gjitha pasurive të shoqërisë “DAAM” sh.p.k dhe burimin e krijimit të tyre, si rezultat i veprimtarisë së paligjshme të Evis Berberit, Valter Begajt, Ervis Lamit dhe Brunilda Bulit.
Në 8 tetor 2021, kreu i ARRSH, Evis Berberi ka firmosur tenderin me vlerë 23 milionë euro për kompanitë ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së jashtme të Tiranës, Loti 7. Për të mbikëqyrur punimet Evis Berberi ka përzgjedhur në datën 10 nëntor 2021 si fituese e tenderit grupin e kompanive “NET-GROUP” dhe “ARABEL – STUDIO”. Këtë të hënë në orën 11:00, ishte caktuar të mbahej seanca me informacionin dy mujor të SPAK lidhur me hetimet, por u shty për shkak të mungesës së prokurorit.