Drejtuesja politike e PD për Diasporën, Jozefina Topalli, deklaroi në një konferencë për shtyp se, vota e diasporës është një akt ndërgjegjeje dhe drejtësie ndaj një regjimi që i ka dëbuar nga vendi.
Topalli falënderoi shqiptarët jashtë vendit për mbështetjen, ndërsa u kërkoi atyre të bëjnë edhe një sakrificë të fundit duke dorëzuar personalisht zarfin në zyrat e DHL. Ajo denoncoi një sërë problematikash me procesin, përfshirë mungesën e fletëve të votimit, dërgimin në adresa të gabuara dhe raste të shumta me zarfe të pavlefshme.
Sipas saj, këto shkelje përbëjnë një cenim të rëndë të integritetit zgjedhor. Topalli i bëri thirrje KQZ-së të marrë masa të menjëhershme për të garantuar respektimin e ligjit nga ana e DHL. Ajo vuri në dukje se diaspora dhe gratë janë dy shtyllat kryesore që do të sjellin ndryshimin e madh.
“Ne e shohim me pozitivitet në fakt votimin që po ndodh kudo në botë dhe kjo kërkon një mirënjohje dhe është një moment historik.
Në fakt shqiptarët po votojnë në një akt të fortë drejtësie dhe në akt historik për t’ua kthyer dëbimin që u kanë bërë 1 milion shqiptarëve gjatë këtyre 12 viteve.
Me votën e tyre, ata do të përmbysin regjimin që i përjashtoi dhe i dëboi”, tha Topalli.