Nga Genc POLLO
Si të vendosë Gjykata Europiane: po tha ajo që s’bëhet, edhe ne se bëjmë; po tha bëhet, ne do e bëjmë. Pak a shumë kështu foli Edi Rama në Tiranë në mars 2023 në përfundim të mbledhjes Shqipëri/Bashkimi Europian (Këshilli i Stabilizim-Asociimit) në prani të z. Borrell, Përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme dhe z. Varhelyi, Komisioner për Zgjerimin.
Fjala ishte për “pasaportat e arta” ose dhënien e shtetësisë të huajve kundrejt pagesës ose investimeve.
1-Pasaportat e arta si burim problematik i parave
Rama prej disa vitesh ishte angazhuar në ketë projekt duke marrë pjesë në evenimente ndërkombëtare kushtuar “shtetësisë përmes investimit” si p.sh. në Londër në nëntor 2019 ku e quajti idenë si “rruga e duhur” (the right way) dhe “diçka që ne duhet t’a bëjmë”. Ai sqaroi se Komisioni Europian ishte kundra nismës por këtu Brukseli gabonte.
Pasaportat e arta asokohe praktikoheshin në tre shtete të BE-së: në Bullgari, Qipro e Maltë. Brukseli, me të drejtë, e shikonte këtë si një kanal ku mund të depërtonin persona të dyshimtë e të rrezikshëm nga vende të treta përfshi edhe shtete armiqësore. Këto pasaporta ishin një dritare për rreziqe lidhur me sigurinë kombëtare, larjen e parave e korrupsionin.
Në fakt në Bullgari e Qipro ku plasën skandale, përfshi edhe video me politikanë që merrnin zarfe kundrejt premtimit për pasaportë, demarshet e Brukselit çuan në mbylljen me ligj të këtij programi. Vetëm kryeministri maltez Muscat (Partia Laburiste) i cili e filloi ketë skemë në vitin 2014 i rezistoi Brukselit në emër “të sovranitetit e të interesit të popullit maltez”. Kjo rezistencë vazhdoi edhe mbas skandaleve me ryshfete, edhe mbasi Muscat dha dorëheqjen kur u provua përfshirja e qeverisë së tij në vrasjen e një gazetareje investigative. Kryeministri vijues Abela, i cili rezultoi se përfitonte personalisht përmes qiradhënies së banesës nga disa aplikantë rusë për shtetësi, vazhdoi po atë linjë. Komisioni Europian u detyrua të padisë Maltën për shkelje të traktateve dhe abuzim me “qytetarinë europiane”. Në fakt Malta nuk jepte thjesht një pasaportë malteze por duke qenë anëtare e BE dhe e Zonës Schengen i ofronte çdo neomaltezi mundësi e privilegje në mbarë Europën.
Në Shqipëri Rama u detyrua të jepte deklaratën e mësipërme (mars 2023), por qeveria miratoi legjislacionin e plotë për shitjen e pasaportave përfshi edhe ngritjen e një agjencie të posaçme në Ministrinë e Brendshme dhe mundësinë që, precedent global ky, seleksionimi i aplikantëve të kryhej nga një kompani koncesionare (PPP). Pasaporta shqiptare nuk i kishte të tëra cilësitë e asaj malteze por ajo siguronte lëvizjen e lirë në Europë.
2-Verdikti i gjykatës kundër pasaportave të arta
Më 29 prill Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian mori vendim kundra Maltës e pasaportave të arta duke shënuar se përftimi i shtetësisë së BE-së nuk mund të rezultojë nga një transaksion tregtar. Një “komercializim” i tillë i shtetësisë është i papajtueshëm me konceptin bazë të shtetësisë së BE-së, siç përcaktohet nga traktatet. Ai shkel parimin e bashkëpunimit të sinqertë dhe rrezikon besimin e ndërsjellë midis shteteve anëtare në lidhje me dhënien e shtetësisë së tyre.
Duke pranuar se shtetet anëtare janë të lira të përcaktojnë kushtet sipas të cilave jepet shtetësia, gjykata vendosi se kjo duhet të bëhet në përputhje me ligjin e BE-së. Gjykata tha se shtetet anëtare nuk mund të japin shtetësi, dhe si rrjedhojë shtetësinë e BE-së, në këmbim të pagesave ose investimeve të paracaktuara. Shtetësia bazohet në “solidaritet, mirëbesim dhe reciprocitet të të drejtave e detyrimeve midis shtetit dhe qytetarëve të tij” dhe se skema e Maltës, e cila në fakt komercializon shtetësinë, është e papajtueshme me këto parime nënvizoi gjykata.
Vendimi i pret rrugën Maltës, por edhe çdo shteti anëtar në BE që të shesë shtetësinë. Siç e tha edhe opozita malteze, pasaportat tona “kanë vlerë, por jo çmim”.
Vështirë se Rama do të reagojë ndaj këtij zhvillimi dhe do të shpjegojë se si e pse donte të përdorte apo të abuzonte një arritje të realizuar tre vjet para se ai të bëhej Kryeministër. Është interesante të vëresh se një projekt problematik e me pasoja negative për vendin (dhe BE-në) nuk do e ndalnin dot opozita, shoqeria civile, media apo gjyqësori. Kësaj radhe ndihma erdhi nga Komisioni Europian. Interesi i BE-së fatmirësisht përputhej strikt me interesin e Shqipërisë. Ndryshe nga rastet e ndonjë zyrtari nga Brukseli që verbalisht mund të shprehet në përgjithësi pro shtetit ligjor e kundër korrupsionit abstrakt por me gjeste e të tjera sinjalizon simpati për regjimin autoritar e kleptokratik të Edi Ramës.
Gjithsesi faleminderit Komisionit edhe për kaq.
(Autori është President i lëvizjes Paneuropa Shqipëri)